Gazetari serb, Mihajlloviç: Kjo na çon në njohje “de facto” të Kosovës

Në një lidhje për emisionin Klan Debat me gazetaren Biljana Georgievska, direkt nga Beogradi ishte gazetari serb Milivoje Mihajloviç. Mihajloviç sqaroi se pakënaqësia më e madhe në Serbi është se këto bisedime që po zhivillohen edhe në Ohër, çojnë në njohje “de facto” të Kosovës.

“Pakënaqësia kryesore për Serbinë është se kjo procedurë në fakt çon në njohjen de facto të Kosovës si shtet, ky është problemi më i madh. Ndonëse presidenti i Serbisë shumë shpesh thotë në intervista dhe dalje publike se për të problemi më i madh është se Serbia merr përsipër të mos ndërhyjë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, edhe pse shumë shpesh përdor thënien se nuk do ta lejojë Kosovën të bashkohet në Kombet e Bashkuara, nuk mendoj se është e vërtetë. Nuk varet nga Serbia, por siç e dimë të gjithë, varet nga Këshilli i Sigurimit, ku Britania, Kina dhe Rusia ulen përkrah Shteteve të Bashkuara dhe nuk do ta lejojnë për arsyet e tyre. Problemi më i madh për opinionin në Serbi, për njerëzit që merren me Kosovën, është se mendojnë se kjo marrëveshje nuk çon në anëtarësimin e Kosovës në OKB, por drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, kjo shpie në një mundësi për Brukselin për të bërë presion ndaj pesë vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Me fjalinë “këtu është pajtuar Serbia, të pajtoheni edhe ju”. Pra, kjo marrëveshje nuk do të thotë de jure njohje të Kosovës, nëse arrihet, por do të nënkuptojë, në një mënyrë, një hap të ri drejt shtetësisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e Beogradit, gjë që nuk ka qenë deri më tani…”, deklaroi gazetari serb Mihajloviç për Klan Debat./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share