Në fund të vitit, drejtori i sektorit të Euroazisë të Zërit të Amerikës, Dr. Elez Biberaj, del në pension, duke i dhënë fund karrierës 43 vjeçare të tij në gazetari. Për më shumë se katër dekada, në role të ndryshme, gazetari Biberaj ishte në shërbim të së vërtetës dhe mbrojtjes së vlerave që e kanë bërë Zërin e Amerikës një nga agjencitë më të besueshme të lajmeve në botë.
Dr. Elez Biberaj e nisi karrierën e tij si gazetar radioje tek Zëri i Amerikës në shërbimin shqip, gjatë viteve 1980-1982.
Më pas ai u angazhua si Redaktor i Lartë, i specializuar në Çështjet Sovjetike dhe të Evropës Lindore në zyrën e shtypit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Informacionin, USIA.
Nga viti 1986 deri më 2004, Dr. Biberaj drejtoi shërbimin shqip të Zërit të Amerikës. Nga viti 2005 e deri tani është drejtor i Drejtorisë së Euroazisë. Për 6 muaj, nga qershori deri në dhjetor të vitit 2020, në një prej momenteve më sfiduese për Zërin e Amerikës, ai shërbeu si drejtor në detyrë i Zërit të Amerikës.
Për më shumë se katër dekada, në role të ndryshme, ai ishte në shërbim të së vërtetës dhe mbrojtjes së vlerave që e kanë bërë Zërin e Amerikës një nga agjencitë më të besueshme të lajmeve në botë.
Karriera e tij e shtrihet gjatë gjashtë administratave amerikane dhe ai ka qenë dëshmitar i disa prej ngjarjeve më kryesore, që nga Lufta e Ftohtë, tek rënia e komunizmit, lindja e demokracisë në ish vendet e Bashkimit Sovjetik dhe Evropës Lindore, luftërat e Ballkanit, pavarësia e Kosovës, integrimi e Evropës Lindore në institucionet Euro-Atlantike, kalimin e Rusisë drejt një regjimi autoritar dhe së fundmi sulmi i Moskës kundër Ukrainës dhe lufta Izrael-Hamas në Gazë.
Gjatë një fjalimi në ceremoninë e organizuar nga Zëri i Amerikës për nder të daljes së tij në pension. Dr. Biberaj shprehu mirënjohjen e tij për agjencinë, të cilës ai i përkushtoi karrierën.
“Misioni i Zërit të Amerikës ka qenë në qendër të jetës sime profesionale nga dita e parë që iu bashkova Zërit të Amerikës, në dhjetor të vitit 1980. Rashë në dashuri me këtë organiatë të jashtëzakonshme lajmesh, përkushtimin për standarde të larta të gazetarisë, shpërndarjen e së vërtetës dhe përhapjen e vlerave demokratike amerikane”, tha Dr. Biberaj.
Drejtori në detyrë i Zërit të Amerikës, John Lipman vlerësoi mënyrën se si Dr. Biberaj menaxhoi situatën e vështirë dhe trysninë me të cilën po përballej Zëri i Amerikës në vitin 2020 gjatë administratës së ish Presidentit Donald Trump, kur Dr. Biberaj ishte drejtor në detyrë.
“Mendoj se është e drejtë të thuhet se Elezi, në rolin e drejtorit në detyrë, është përballur me një situatë të tensionuar, me të cilën nuk është përballur asnjë drejtor. Ai e menaxhoi atë në mënyrë të mrekullueshme. E shoh me admirim kohën tuaj dhe mënyrën se si e menaxhuat atë periudhë krize, që e mbajti Zërin e Amerikës jo vetëm funksional, por që solli edhe përmirësime në një kohë shumë të tensionuar”, tha Lipman.
Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale, pjesë e së cilës është edhe Zëri i Amerikës, Amanada Bennet, tha se një nga trashëgimitë e Dr. Biberajt, është mbrojtja e parimeve përballë trysnive.
“Shpresoj se të gjithë kemi nxjerrë mësime dhe do të vazhdojmë të mësojmë se ç’do të thotë të tregosh guxim dhe të mbrosh parimet, ndërsa përballesh me trysni. Zëri i Amerikës është simbol i kësaj. Është simbol i aftësisë tonë për të qenë të guximshëm dhe parimorë përballë trysnisë. Më duket se me largimin e Elezit nga Zëri i Amerikës, zemra po i ndahet trupit, duke lënë një zbrazëti të madhe. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë rast që të rruajmë të njëjtat standarde, ta mbushin boshllëkun dhe të vazhdojmë misionin dhe parimet e Zërit të Amerikës”, tha Bennet.
Një nga koleget e para të Dr. Biberajt tek Zëri i Amerikës, Kelu Chao, ndau me të pranishmit kujtimet e saj.
“Elezi dhe unë kemi të kaluara të ngjashme. Të dy kemi lindur në vende ndryshme, Shqipëri dhe Tajvan, ku jemi përballur me kërcënime nga komunzimi. Të dy kemi ardhur në Shtetet e Bashkuara në vitet ‘70 dhe kemi nisur punë tek Zëri i Amerikës në vitet ‘80-at. Të gjithë flasin për sukesin e Elezit. Unë dua të përmend një element të rëndësishëm të suksesit të tij, ai është jashtëzakonisht i disiplinuar”, u shpreh ajo.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, përmes një video mesazhi kujtoi fjalimin e njohur të vitit 1991 të Sekretarit amerikan James Baker në sheshin Skenderbej në Tiranë, pas rrëzimit të regjimit komunist.
Christopher Hill ishte diplomati amerikan i dërguar në Shqipëri, për rihapjen e ambasadës amerikane, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit.
“E kam takuar për herë të parë në Tiranë, së bashku me Sekretarin amerikan James Baker. Ai përktheu fjalimin e njohur të Sekretarit Baker në sheshin Skënderbej, hera e parë që një zyrtar amerikan dhe një aleat i sekretarit të shtetit flisnin para popullit shqiptar në sheshin Skënderbej. Sigurisht, zëri që ata dëgjonin ishte i njohur për ta, zëri i Elez Biberajt, i cili fliste përmes shërbimit shqip të Zërit të Amerikës”, tha Hill.
Gazetari shqiptaro-amerikan Frank Shkreli, i cili vetë ka punuar më herët për Zërin e Amerikës, citoi një thënie të gazetarit të njohur Edward Murrow.
“Ju nuk mund ta mbroni lirinë në një vend tjetër, duke e braktisur lirinë në vendin tuaj. Elez Biberaj na tregoi të gjithëve se si mund ta mbrosh lirinë në vend të huaj dhe në vendin tuaj, në të njëjtën kohë”, tha ai.
Ish-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, ish ambasador amerikan në Maqedoninë e Veriut, theksoi një rast gjatë luftës në Kosovë.
“Elezi kujdeset për gazetarët e tij, duke përfshirë korrespondentët në terren që shpesh ishin nën kërcënim për shkak të raportimit të tyre. Më kujtohet, gjatë luftës në Kosovë, Elezi i kërkoi udhëheqësit të shërbimit maqedonas që ta ndihmonte një korrespondent të shërbimit shqip dhe familjen e tij që kishin ngecur në kufirin e Kosovës me Maqedoninë, nën kërcënimin që të arrestohej dhe t’i shkatërrohej gjithë puna nga forcat serbe në atë kohë. Së bashku me Ambasadën në Shkup u angazhuam për të kontaktuar zyrtarët përgjegjës. Korrespondenti dhe familja e tij u lejuan të futen në kufi dhe arritën në një vend të sigurt. Kjo nuk do të ishte e mundur pa ndihmën e Elezit”, tha Reeker.
Largimi pas 43 vitesh nuk është i lehtë për Dr. Biberaj. Ai u shpreh i bindur se brezat e rinj të Zërit të Amerikës do të vazhdojnë punën që kjo agjenci të ruajë ndikimin e madh që ka tek audienca në mbarë botën, përmes lajmeve të pavarura dhe të bazuara në fakte.
“Më duhet ta pranoj se nuk është e lehtë t’u thuash lamtumirë kolegëve kaq të mrekullueshëm dhe një organizate kaq të madhe lajmesh. Por, unë po largohem me krenari të thellë dhe një vlerësim të madh për gjithçka që kemi arritur. Jam i sigurt se Zëri i Amerikës do të vazhdojë të jetë një burim shprese dhe një fener ndriçues i së vërtetës për miliona njerëz”, tha Biberaj.