Gazetari gjerman Peter Tiede i të mirënjohures gjermane Bild shkruan se arrestimi i liderit të opozitës, 79-vjeçarit, ka shkaktuar një tërmet politik ballkanik në Tiranë.
Tiede ka arritur të kontaktojë Berishën nga arresti shtëpiak duke e pyetur atë rreth zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri.
Ai hedh dritë mbi konfliktin politik që vazhdon prej vitesh mes kreut të qeverisë socialiste Edi Rama dhe paraardhësit të tij, ish-presidentit konservator Sali Berisha konflikt që po shkon drejt një kulmi të ri.
Vetë Berisha, ish-profesori i universitetit që e nxori Shqipërinë nga komunizmi,thotë për BILD se “kemi të bëjmë me një fushatë hakmarrëse të Ramës nga frika e humbjes së pushtetit në zgjedhjet parlamentare që do të organizohen në Shqipëri në 2025-ën”.
“Ndihem shumë i motivuar për të udhëhequr një luftë të suksesshme kundër diktaturës së dytë në 32 vjet në vendin tim. Këtë herë është një shtet droge, një diktaturë mafioze. Ramën e konsideroj personalisht përgjegjës për përfshirjen e emrit tim në listën e sanksioneve të SHBA-ve, me informacione të rreme dhe ryshfet”.
Dikush që njeh Ballkanin po aq mirë sa Rama dhe Berisha, ish-shefi i politikës së jashtme për një kohë të gjatë i Parlamentit Evropian, Elmar Brok, e shikon Tiranën me mosbesim dhe thotë për BILD: “Kaosi politik po shkon drejt një kulmi të ri. Është e çuditshme që 15 vjet pas një rasti të supozuar, një ish-kryeministër vendoset në arrest shtëpie dhe i ndalohet komunikimi edhe me partinë e tij. Dhe kjo para zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për vitin e ardhshëm”.
Gazetari Peter Tiede është i njohur për publikimin pak vite më parë të përgjimeve telefonike të eksponentëve socialistë të përfolur për manipulimin e zgjedhjeve në Dibër dhe Durrës.
Klan News