ZGJEDHJET 2024
Lideri i partisë Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN, Afrim Gashi, deklaroi se janë të obliguar të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme, ku sipas tij, do të udhëheqin institucione të rëndësishme të sektorit për punë të brendshme.
“Si garues të vetëm në bllokun politik shqiptar dhe kuptohet si fitues të këtij blloku, ne jemi përfaqësuesit e vetëm dhe legjitim të Shqiptarëve në këto zgjedhje. Kjo na obligon t`i prezantojmë shqiptarët në qeverinë e ardhshme ku, mes tjerash, do të udhëheqim me institucione të rëndësishme të sektorit për punë të brendshme, përgjegjës për krimin dhe korrupsionin” – tha Afrim Gashi, VLEN.
Por, pasi Mickoski, haptazi preferon opozitën shqiptare si partner potencial në Qeverinë e ardhshme, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, duke I dërguar mesazh koalicionit VLEN, rikujtoi gabimin e vitit 2006 kur në qeveri nuk hyri partia fituese shqiptare.
“Bëjnë mirë opozitarët, të mos bëjnë gabime që i ka bërë kolegu im i mëhershëm. Në 2006 u bë një gabim dhe koston e pagoi partia e atëhershme” – tha Ali Ahmeti, BDI.
Koalicioni VLEN mbetet I palëkundur në qëndrimin për miratimin e ndryshimeve kushtetuese sipas një afati konkret.
“Të jeni të qetë, është vetëm propagandë se dikush do t`i bllokojë ndryshimet kushtetuese dhe rrugën eurointegruese. Koalicioni VLEN është garanca se në qeverinë e ardhshme do të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe do të kemi kornizë të veçantë për masat dhe afatet për zbatimin e këtij detyrimi” – tha Gashi.
Pas deklaratës së Mickoskit se preferon opozitën shqiptare, reagoi ASH-ja e Ziadin Selës, duke potencuar se lideri I VMRO-DPMNE-së zbuloi tradhëtinë e opozitës shqiptare, të cilët, sic thonë nga ASH-ja, janë të gatshëm të bëjnë kompromise me çmimin e heqjes dorë nga kushtëzimet për ndryshimet kushtetuese, vetëm se t`i pëlqejnë Mickoskit. /tvklan.mk/