Gashi: Iniciativa për interpelancë nuk qëndron! Kush i shkel ligjet duhet të përgjigjet

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 3 shtator do të mbajë seancën për interpelancën  ndaj kryeparlamentarit Afrim Gashi, të ngritur nga partia E Majta. Këtë e konfirmoi vet Gashi gjatë brifingut të parë me gazetarët, pas marrjes së funksionit. Ai vlerëson se, nuk ka bërë shkelje të sekularizmit dhe nuk ka kërkuar nga askush që të shkelë ligjet ndërkombëtare apo vendore. Për këtë, arsye Gashi vlerëson se iniciativa për interpelancë nuk qëndron.

“Ne pasi kemi marrë një iniciativë për interpelancë, menjëherë e kemi vendosur në rend dite në seancën e parë që do të mbahet më 3 shtator. Jam i lumtur që opinioni do të dëgjojë argumentet e të gjitha palëve dhe në fund plenumi apo shumica parlamentare do të vendosë se çfarë është më e drejtë më e mirë dhe çfarë që të jetë më e mirë dhe si do që të vendosë shumica unë do ta pranojë me kënaqësi”, tha Gashi.

I pyetur për ndryshimet kushtetuese, Gashi tha se, nuk mund të pritet fillimi i procesit, pa e zgjidhur çështjen me Bullgarinë. E për fillimin e bisedimeve me shtetin fqinj, pritet që atje të përfundojë procesi i zgjedhjeve parlamentare.

“Zgjidhja e problemit konsiston që, në këtë çështje do të duhet të përfshihen më shumë palë. Ka të bëjë me shtetin fqinj, me Bashkimin Evropian dhe derisa nuk ka një zgjidhje konkrete nuk mund ta fillojmë këtë si procedurë. Por, politikisht po punojmë që sa më shpejtë të ketë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët dhe përfundimisht të fillojë procesi në Parlament”, u shpreh Gashi.

Gashi foli edhe për incidentin me presidenten e Kosovës në aeroportin e Shkupit, ku ishte i përfshirë edhe sigurimi i tij. Ai tha se, nuk ka kërkuar nga askush që të shkel ligjet. Ai shtoi se nuk e zgjedh vet sigurimin personal, por atë e bën MPB-së, duke shtuar se, kush i shkel ligjet duhet të përgjigjet.

“Mund të ju them se, unë personalisht se sigurimi i Kuvendit në aerport kemi parandaluar një incident që mund të ksihte pasoja më të mëdha. Unë gëzohem që gjithçka përfundoi siç duhet. Ato persona që kanë tejkaluar kompetencat e tyre, MPB do të veprojë siç është ligji dhe siç duhet”, tha Gashi.

Ky incident dhe lutja e bërë në Kuvend për shënimin e gjenocidit të Srebrenicës, ishin arsyet që partia opozitare E Majta, ngriti interpelancë ndaj Gashit. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share