Jose Mourinho reflekton, Ronaldo propozon Zinedine Zidane
Vallja rreth pankinës së Al Nassr vijon të zgjerohet. Largimi i Rudi Garcia ka vënë në lëvizje drejtuesit, që tashmë duket se kanë shënjestruar emrat më të lakmuar të momentit.
Pas Jose Mourinhos, në lupën e skuadrës arabe ka përfunduar Zinedine Zidane. Për të arritur te francezi, pritet të merret parasysh marrëdhënia e mirë me sulmuesin Cristiano Ronaldo. Madje, mediat raportojnë se në adresë të 50-vjeçarit ka mbërritur një ofertë verbale, pavarësisht se shanset për të bindur francezin janë të pakta.
Detajet nuk bëhen të ditura, edhe pse shifrat pritet të jenë të ngjashme me ato që i afruan Mourinhos. Portugezit i është vënë në dispozicion një kontratë dy-vjeçare, me vlerë prej 100 milionë eurosh në total. Një marrëveshje që për Zidane do të ishte tepër e vlefshme si në aspektin ekonomik ashtu edhe për karrierën.
Francezi është i papunë që nga largimi nga kryeqyteti spanjoll në vitin 2021, edhe pse prej kohësh është në lupën e negociatave me stolat e kombëtares braziliane, francezët e PSG-së dhe disa prej ekipeve të Premier League. Ëndrra e madhe për Zidane është ulja në pankinën e kombëtares franceze.
Klan News