MINISTRA, LIDERË TË PARTIVE NË NDESHJET NË SHKUP DHE TIRANË
“Ju lumtë djema! Barazim Maqedoni – Angli! Lojë e guximshme e reprezentacionit maqedonas me frymë ekipore” – ka shkruar në rrjetet sociale Presidenti Stevo Pendarovski, duke shpërndarë edhe një video nga stadiumi në Shkup, njofton KlanM.
Njeriu i dytë i shtetit, Kryeparlamentari Talat Xhaferi, mbase do të ishte në stadium nëse nuk kishte probleme me deputetët e “Levicës” në Kuvend.
Por, s`kishte se si të mungojë Kryeministri Dimitar Kovaçevski. Sipas tij, sic percjell KlanM, një ndeshje që ia vlente të shihej dhe një pikë e madhe kundër Anglisë gjigande.
“Përvojat nga kualifikimet për EURO 2024, le të jenë motiv për shanset e ardhshme. Terrenet janë tuajat, keni mbështetjen për hapat e ardhshëm” – ka premtuar në Facebook, Kryeministri Kovaçevski.
Në ndeshjen në Shkup, sic njofton KlanM, ishte I pranishëm edhe Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, I shoqëruar nga Ministri I Arsimit, Jeton Shaqiri.
Ministri Osmani, nuk ka lënë ndonjë mbishkrim nëpër rrjetet sociale, vetëm se ka shpërndarë fotografi nga atmosfera në tribuna dhe në terren.
Zv/Kryeministri i Parë, Artan Grubi i shoqëruar nga Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, sic njofton KlanM, ishin në Tiranë, për ta përcjellë së afërmi festën “kuq e zi” dhe plasmanin në EURO 2024 të Shqipërisë si lidere e grupit.
“Po ku ka si ti o Shqipëria ime…” – ka shkruar Grubi në Facebook.
Por jo vetëm kaq! “Shqipëri jemi me ty” – ka qenë mbishkrimi në Facebook i liderit të Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
Edhe opozita e bashkuar shqiptare, sic njofton KlanM, kishte zgjedhur që këtë të hënë sportive ta kalojnë në stadiumin “Air Albania në Tiranë.
Izet Mexhit, Bilall Kasami, Afrim Gashi të shoqëruar nga Kreu I Komunës së Çairit, Visar Ganiu, gjykuar sipas fotografive në Facebook, duket se kanë kaluar një mbrëmje të bukur në Tiranë.
Dikush në Shkup, dikush tjetër në Tiranë! Në kohën kur gjithnjë e më tepër eventet e mëdha shfrytëzohen për të përfituar politikisht në prag të zgjedhjeve të vitit 2024, si asnjëherë më parë vlen ajo thënia “Të shoh – e të shihem”.
Dikush u pa në Shkup, të tjerët në Tiranë. Por, gjithë së bashku mbase do të “shihen” në Majin e vitit 2024 – në zgjedhje! /KlanMacedonia/