NDESHJE MIQËSORE ME KAMPIONIN E SHQIPËRISË DHE KOSOVËS
Skuadra kampione e Maqedonië së Veriut, klubi i futbollit Struga Trim Lum nga dita e mërkurë zyrtarisht ka nisur përgatitjet për garat evropiane dhe sezonin e ri në Ligën e parë të futbollit. E gjithë faza përgatitore do të zhvillohet në Strugë ku edhe do të zhvillojnë tre ndeshje kontrolluese, njofton KlanM.
Në grumbullimin e parë, trajneri Shpëtim Duro para futbollistëve shpalosi planet për fazën e përgatitjeve, pretendimet për ndeshjet kualifikuesen të Ligës së Kampionëve si dhe sezonin e ri 2023/2024 në Ligën e Parë.
Kapiteni Flamur Tairi, sic njofton KlanM, thotë se sfidat në kualifikimet për Ligën e Kampionëve paraqesin motiv të mjaftueshëm për të dhënë maksimumin në fazën përgatitore.
“Fillojmë me fazën përgatitore. Grupi pothuajse është i njëjtë sikurse sezoni i kaluar. Na pret një fazë mjaftë e vështirë nën drejtimin e profesor Duros dhe stafit të tij. Për ne fillon një aventurë e re si që është Champions Liga. Shpresojmë të përgatitemi mjaft mirë dhe ta nisim një udhëtim të suksesshëm në champions ligë” – tha Flamur Tairi.
Ekipi, sic njofton KlanM, gjatë gjithë fazës përgatitore do të qëndrojë në Strugë, ku edhe do të zhvillojë tre ndeshje kontrolluese.
Për më 16 qershor ende nuk dihet kundërshtari, më 23 qershor kontrolluese me kampionin e Kosovës, Ballkanin dhe më 30 qershor me kampionin e Shqipërisë, Partizanin e Tiranës.
Sa i përket merkatos verore priten dy deri tri përforcime. /KlanMacedonia/