Në finale të Kupës së Maqedonisë së Veriut, me 17 maj, do të përballen Struga Trim&Lum dhe Makedonija GjP. Në dy ndeshjet e gjysmëfinales që u zhvilluan sot, fitues dolën Struga Trim&Lum që mposhti Sileksin, dhe Makedonija GjP që mundi Shkëndijën me ekzekutimin e penaltive.
Në stadiumin e qytetit në Strugë skuadra vendase arriti suksesin më të madh në historinë e vetë, duke u kualifikuar në finale të Kupës së Maqedonisë së Veriut. Ekipi Struga Trim&Lum në gjysmëfinale shënoi fitore minimale 1:0 ndaj Sileksit, me një gol të vetëm që e shënoi Mexhit Neziri në minutën e 68.
Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale ndërmjet Shkëndijës dhe Makedonija GjP, fitues pas ekzekutimit të penaltive doli ekipi Makedonija GjP, e cila realizoi tre penalti, ndërsa Shkëndija vetëm dy. Në kohën e rregullt gjatë 90 minutave, ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 1:1, të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Liçina, ndërsa ekipi kuq e zi barazoi në minutën e 65 me golin e bullgarit Nasko Milev.
Ndeshja finale do të zhvillohet me 17 maj në Shkup./KlanMacedonia/
Përgatiti: Shaban Sinani