Shkëndija e Tetovës me fitoren e djeshme kundër Shkupit në Çair bëri një hap të madh drejt titullit.
Tifozët e Shkupit, ngritën standardet e animit korrekt, një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë. “Ballistët” organizuan festë në Tetovë.
Këto janë pamjet nga stadiumi Çair në Shkup, ku “Shvercerat” duartrokasin dhe brohoritin për Shkëndinë.
Përtej rivalitetit në fushë dhe jashtë saj, shkupjanët dhanë një leksion për të gjithë tifozët, se nëse nderon kundërshtarin sportiv, në fakt më shumë se kurrë respekton klubin tënd të zemrës…Shembull që duhet ndjekur nga të gjithë, madje edhe nga politika.
Një sjellje e këtillë nuk mbeti pa u vërejtur edhe nga trajneri i “kuqezinjve”
JETON BEQIRI – TRAJNER I KF SHKËNDIJA
“Dua të bëj një falënderim të veçantë për tifozët e Shkupit për shkak se bënë një gjest të jashtëzakonshëm në fund të ndeshjes dhe gjatë gjithë ndeshjes anuan me një korrektësi dhe për këtë dua t’i falënderoj përzemërsisht dhe shpresoj se edhe ne vitin e ardhshëm t’ua kthejmë në Tetovë në të njëjtën mënyrë, dhe vetëm kështu zhvillohen marrëdhënie vëllazërore ashtu siç u ka hije dy klubeve të mëdha realisht, dhe nuk dua të harroj në këtë moment, falënderime për presidentin e Shkupit i cili pas ndeshjes erdhi dhe si një xhentëlmen i vërtetë na takoi dhe na uroi për fitoren”.
Tri pikët që kanë “shije” titulli, Beqiri ua dedikon “Ballistëve”, sic shprehet, lojtarin e tyre të 12-të.
JETON BEQIRI – TRAJNER I KF SHKËNDIJA
“Unë sinqerisht si fillim dua t’iu dedikoj fitoren publikut të Shkëndisë dhe në veçanti Ballistëve të cilët na kanë suportuar gjatë gjithë kohës, na kanë ndihmuar edhe kur kemi qenë në situata të këqija dhe dua që ekskluzivisht fitoren tua dedikoj tifozëve të Shkëndijës dhe veçanërisht tifozëve të mrekullueshëm Ballistëve.”
Sikurse në ndeshjen kundër AP Brera në Tetovë, në Shkup shënoi Klisman Cake. E quan fitore të rëndësishme.
KLISMAN CAKE – FUTBOLLIST I KF SHKËNDIJA
“Fitore mjaft e rëndësishme për ne, ishim qind për qind, respektuam detyrat që na i kishte dhënë trajneri dhe arritëm një fitore 0:2, e cila ishte fitore e pastër për ne.”
Por, kjo ndeshje, nuk përfundoi me kaq! Kishte edhe pjesën e tretë. “Ballistët” organizuan festë në Tetovë.
Të shtunën vonë pasdite, do të bllokohet hyrja e Tetovës tek “Monopoli”.
Në këtë mënyrë tifozët e flaktë pritën futbollistët me gjithë arsenalin në dispozicion.
Teksa kanë mbetur edhe dy xhiro në fund të kampionatit, sytë e futbolldashësve, më 12 maj, do të drejtohen në Tetovë, ku në “betejën” për titull do të përballen dy pretendentët – Shkëndija dhe Struga Trim Lum që kanë të tubuar nga 61 pikë. /TvKlan.mk