Të mërkurën me fillim në orën 15:00 në stadiumin e qytetit në Kavadar mes Tikveshit dhe Shkupit, si dhe në stadiumin e Gjorçe mes Makedonija Gj.P -Voska Sport, do të zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinales së Kupës së Maqedonisë së Veriut në futboll.
Në Kavadar po përgatitet një festë e madhe. Nga dita e djeshme kanë dalë në shitje 5-6 mijë bileta aq sa është kapaciteti i stadiumit.
Nga ana tjetër edhe ekipi i Shkupit synon finalen. Futbollisti Blerton Sheji shprehet optimist se skuadra e tij do të kualifikohet në finale.
“Ndeshja kundër Tikveshit do të jetë tepër e vështirë, pasi që në ndeshjen e pare në Çairi kishim raste të shumta dhe dominuam në ndeshje, por nuk i shfrytëzuam rastet tona dhe do të shkojmë atje për të fituar ndeshjen. Ekipi është i përgatitur maksimalisht . Do ti zbatojmë urdhëratë e trajnerit ato të cilat na janë dhënë, do të japim maksimumin dhe Besoj se ne do jemi finalist dhe do ta fitojmë Kupën” – tha Blerton Sheji, futbollist i FC Shkupi.
Ndeshja tjetër gjysmëfinale në Gjorçe Petrov, do të nisë me epërsinë e Voska Sportit prej dy golave që e krijuan në ndeshjen e parë të zhvilluar në Ohër, por duke ditur përvojën e skuadrës vendase të cilët janë fitues të Kupës në sezonin e kaluar atëherë të gjitha opsionet janë në lojë.
Të dy ndeshjet gjysmëfinale në Kavadar dhe Gjorçe fillojnë në ora 15:00. /tvklan.mk/