Reprezentacioni i futbollit të femrave të Kosovës edhe në ndeshjen e dytë të vlefshme për Liga e Kombeve ka shënuar fitore kundër reprezentacionit të Maqedonisë Veriut në ndeshjen që u zhvillua në Prishtinë me rezultat 3:1
Pjesa e parë filloi mbarë pasi që Kosova qysh në çerekun e parë të lojës arriti të sigurojë rezultatin pozitiv. Në minutën e shtatë, epërsinë Kosovës ia siguroi Donjeta Halilaj, e cila me saktësi ekzekutoi penalltinë e fituar paraprakisht nga Memeti. Po kaq minuta më vonë, Kosova pati një rast tjetër, të cilin e konkretizoj përmes Erëleta Memetit për 2:0. Dardanet me intensitet te lartë të lojës vazhduan paraqitjen edhe më tutje. Kështu në minutën e 34-t Kaltrina Biqkaj shënoi pas një depërtimi vetjak, duke thelluar epërsinë në 3:0.
Në pjesën e dytë Kosova luajti me më shumë komoditet për shkak të rezultatit të thellë që kishte siguruar në pjesën e parë. Ndërkohë një minutë para se të përfundojë koha e rregullt, Maqedonia e Veriut shënoi golin e ngushëllimit përmes Olivera Cokleskas. Gjithsesi, ky gol ishte i vonshëm për mysafiret që të riktheheshin në lojë dhe kësisoj ndeshja u përmbyll me rezultat 3:1.
Kosova do të vazhdojë rrugëtimin në Ligën e Kombeve në nëntor, ku do të përballet me Bullgarinë, ndeshje e cila do të jetë përcaktuese për pozitën e parë në grup dhe për promovim në Ligën B. Aktualisht Kosova ka dy fitore dhe një barazim.
Pas kësaj fitore të përfaqësueses së Kosovës, në rrjetin social Fejsbuk, kryetari i FFK-së Agim Ademi ka shkruar.
“Një tjetër paraqitje e shkëlqyeshme e futbollisteve të Kombëtares së Kosovës në kuadër të Grupit 5 në Ligën C, e cila rezultoi me fitoren e dytë kundër Maqedonisë së Veriut, me rezultat 3:1.
Përgëzoj futbollistet për fitoren dhe përkushtimin e madh gjatë tërë ndeshjes dhe stafin e kombëtares në krye me trajneren Anneli Andersen për punë të suksesshme.
Uroj që me të njëjtin ritëm të vazhdojmë edhe në ndeshjen e radhës kundër Bullgarisë, e cila do të jetë përcaktuese për pozitën e parë në grup dhe promovim në Ligën B.
Krenar me Ju Dardane!”,.