Futboll: Format krejt ndryshe për Champions-in, gjithçka që duhet të dini si ndryshon gara nga edicioni i ardhshëm

Ka një arsye që futbolli evropian është një nga sportet më të suksesshme dhe më të njohura në botë. Nuk qëndron kurrë në vend. Që nga fillimi i kompeticionit inaugurues, i njohur si Kupa e Kampionëve Evropianë të Klubeve, në vitin 1955, UEFA ka evoluar vazhdimisht dhe ka përshtatur Ligën e Kampionëve për të mbajtur ritmin me ndryshimet më të gjera në lojë.

Për të siguruar që formati i ri 2024-2025 do të japë më të mirën për klubet, lojtarët dhe tifozët, UEFA u bazua në konsultime të gjera me palët kryesore të interesit në komunitetin evropian të futbollit. Formati përfundimtar, lista e aksesit dhe kalendari për garat evropiane të klubeve u miratua më 10 maj 2022, në vijim të vendimit të UEFA-s të datës 19 prill 2021 për të futur një sistem të ri garash.

“UEFA ka treguar qartë se ne jemi plotësisht të përkushtuar për të respektuar vlerat themelore të sportit dhe për të mbrojtur parimin kyç të garave të hapura, me kualifikim të bazuar në meritat sportive, plotësisht në përputhje me vlerat dhe modelin sportiv evropian të bazuar në solidaritet, – tha presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin. – Jam vërtet i kënaqur që ishte një vendim unanim i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, me Shoqatën Evropiane të Klubeve, Ligat Evropiane dhe federatat kombëtare. Që të gjithë pajtohen me propozimin e bërë. Një tjetër dëshmi se futbolli evropian është më i bashkuar se kurrë”.

Si do të ndryshojë formati i Champions League nga 2024-2025?

Ndryshimi kryesor në reformat e shpallura nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është largimi nga sistemi i deritanishëm i fazës së grupeve. Faza e tanishme e grupeve të Champions League përfshin 32 pjesëmarrës të ndarë në 8 grupe me nga 4 ekipe. Nga sezoni 2024-2025, 36 klube do të marrin pjesë në fazën e Ligës së Kampionëve (ish-faza e grupeve), duke i dhënë mundësinë 4 skuadrave të tjera të konkurrojnë kundër klubeve më të mira në Evropë. Këto 36 klube do të marrin pjesë në një garë të vetme në formë lige, në të cilën të 36 konkurrentët renditen së bashku.

Sipas formatit të ri, skuadrat do të luajnë 8 ndeshje në fazën e re (ish-faza e grupeve). Ato nuk do të luajnë më me tre kundërshtarë nga dy herë, në shtëpi dhe jashtë, por do të përballen me ndeshje kundër 8 skuadrave të ndryshme, duke luajtur gjysmën e atyre ndeshjeve në shtëpi dhe gjysmën e tyre jashtë. Për të përcaktuar 8 kundërshtarët e ndryshëm, skuadrat fillimisht do të renditen në 4 vazo. Çdo skuadër më pas do të hidhet në short për të luajtur me dy kundërshtarë nga secila prej këty

re vazove, duke luajtur një ndeshje kundër një ekipi nga secila vazo në shtëpi dhe një jashtë.

Kjo iu jep mundësinë klubeve të testojnë veten kundër një game më të gjerë kundërshtarësh dhe rrit mundësinë për tifozët që të shohin skuadrat më të mira të përballen më shpesh dhe më herët në garë. Kjo do të rezultojë gjithashtu në ndeshje më konkurruese për çdo klub në të gjithë edicionin.

Si do të ndahen 4 vendet shtesë në fazën e grupeve të Champions League?

Kualifikimi për Ligën e Kampionëve do të vazhdojë të jetë i hapur dhe do të varet nga pozicioni përfundimtar i një klubi në kompeticionin e ligës vendase të sezonit të mëparshëm, i kombinuar me pozicionin e secilës federatë në renditjen e koeficientit të UEFA-s. Baza e listës së aksesit do të mbetet e njëjtë si për sezonin aktual, katër vendet shtesë të disponueshme më 2024-2025 do të ndahen si më poshtë:

Vendi i parë: Ky vend do t’i shkojë klubit të renditur i treti në kampionatin kombëtar dhe në pozitën e pestë në listën e aksesit, e cila përcaktohet nga renditja e koeficientit të klubeve të federatave në UEFA.

Vendi i dytë: Ky vend do t’i jepet një kampioni vendas, duke e zgjeruar nga katër në pesë numrin e klubeve që kualifikohen përmes rrugës Champions, të procesit kualifikues të kompeticionit, i cili do të përbëhet nga katër raunde kualifikuese.

Vendi tre dhe katër: Këto vende do t’iu shkojnë federatave me performancën më të mirë kolektive nga klubet e tyre në sezonin e kaluar (d.m.th. koeficienti i klubit të sezonit të kaluar). Këto dy federata do të fitojnë secila nga një vend automatikisht në fazën e ligës.

Si do të arrijnë skuadrat në fazën eliminatore të Champions League dhe a do të ndryshojë formati për fazën eliminatore?

Rezultatet e çdo ndeshje do të vendosin renditjen e përgjithshme në ligën e re, me tri pikë për fitore dhe një për barazim.

Tetë skuadrat më të mira në ligë do të kualifikohen automatikisht në raundin e 16-të, ndërsa skuadrat që përfundojnë në vendin e 9-të deri në vendin e 24-t do të garojnë në një fazë “play-off” me dy ndeshje për të siguruar rrugën e tyre në 16-shen e fundit të kompeticionit. Skuadrat që përfundojnë në vendin e 25-të ose më poshtë do të eliminohen, pa akses në “Europa League”.

Formati i ri, me të gjitha skuadrat e renditura së bashku në një ligë të vetme, do të thotë se ka më shumë për të luajtur deri në natën e fundit të fazës së ligës.

Në fazën eliminatore, skuadrat që përfundojnë nga vendi i 9-të deri të 16-të do të vendosen në shortin e “play-off” të fazës eliminatore, që do të thotë se do të përballen me një ekip të renditur nga vendi i 17-të deri në 24-tin me ndeshjen e kthimit në shtëpi. Tetë skuadrat që mbizotërojnë në “play-off”-et e fazës eliminatore do të kalojnë më pas në raundin e 16-të, ku secili do të përballet me një nga tetë finalistët.

Nga raundi i 16-të e tutje, gara do të vazhdojë të ndjekë formatin e saj ekzistues të raundeve me eliminim direkt, që çon në finalen e zhvilluar në një vend neutral të përzgjedhur nga UEFA.

Të gjitha ndeshjet para finales do të vazhdojnë të luhen në mesjavë, duke njohur rëndësinë e kalendarit vendas të lojërave në të gjithë Evropën, ndërsa finalja do të vazhdojë të luhet të shtunën.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share