Ende pa u bërë një javë që ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë kanë nisur edhe dënimet e para nga Paneli Zgjedhor për ankesa dhe Parashtresa. Lidhja Demokratike është dënuar me 20 mijë euro e Vetëvendosje me 3 mijë euro për shkelje të kodit të mirësjelljes.
Kjo video që po qarkullon në rrjete sociale e që e krahason liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti me nazistin Adolf Hitler i ka kushtuar Lidhjes Demokratike hiq më pak se 20 mijë euro.
Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka ardhur pas ankesës së Vetëvendosjes se këtë video e ka shpërndarë edhe kandidatja për deputete nga LDK-ja, Xheneta Syka.
LDK-ja e ka kundërshtuar gjobën, duke thënë se është bërë nga një profil tjetër dhe jo nga kandidatja për deputete.
Por PZAP-ja ka konstatuar se videoja ishte postuar në profilin e Sykës, por ishte hequr më pas.
E ankesën e LDK-së për këtë deklaratë të kryeministrit dhe liderit të Vetëvendosjes PZAP-ja e ka pranuar pjesërisht.
PZAP e ka gjobitur Vetëvendosjen me 3 mijë euro pasi ka konstatuar se Kurti ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese duke nxitur urrejtje ndaj kësaj partie.
PZAP poashtu ka hedhur poshtë si të pabazuara edhe dy ankesa të tjera.