Fushata dhe 27 Prilli/ Për VMRO-në sulmuesit janë viktima – LSDM vulë e përgjakshme e VMRO-së – pse hesht Dimitrievski?!

Maqedonia e Veriut sot shënon 7-vjetorin e ngjarjeve dramatike, tensioneve dhe dhunës që ndodhi më 27 prill 2017, të ashtuquajturën “të enjten e përgjakshme”, kur protestuesit maqedonas u futën në Kuvend duke sulmuar deputetë e gazetarë.

Me fushatën për zgjedhjet e dyfishta të këtij viti, por edhe me narativin e shprehur në katër vitet e kaluara, VMRO-DPMNE-ja po përgatit terrenin për t`i paraqitur dhunuesit e 27 prillit si viktima.

Kandidatja presidenciale e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë një tubimi në Strugë, paralajmëroi se si presidente do t`i fal të dënuarit për 27 prillin.

“Këtë do ta bëj dhe shpeshherë e përmendi, në veçanti kur kujtoj të akuzuarit për 27 prillin. Në emër të drejtësisë, etikës, moralit, presidenti duhet ndonjëherë të përdor bllokimin lidhur me gjykatën” – tha Gordana Siljanovska Davkova.

Për LSDM-në, 27 Prilli është dita më e zezë për demokracinë në Maqedoni dhe vulë e përgjakshme e VMRO-DPMNE-së.

“Sot, këto dhunues që mbështeteshin nga Hristijan Mickoski para Kuvendit, VMRO-DPMNE i quan “mbrojtësit e Kushtetutës” madje kërkoi edhe amnistimin e tyre. Pas shtatë viteve, jo që nuk ka asnjë kërkimfalje, por kjo parti shpërblen ekzekutorët e këtij akti të dhunshëm. Shembulli i fundit është vendimi i shumicës nga VMRO-DPMNE dhe “Levica” në Komunën e Manastirit që me të holla t`i shpërblejë të dënuarit për 27 prillin” – thonë nga LSDM.

Këshilltar në Kumanovë, deputet dhe Kryebashkiak. Kështu ishte karriera politike e Maksim Dimitrievskit, i cili pati ambicje për t`u bërë edhe president I vendit.

Nga nëntori i vitit të kaluar ai formoi Lëvizjen “Znam” pasi ndau rrugët me LSDM-në.

Sipas rezultatit në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ai përmendet si partner I mundshëm koalicioni me VMRO-DPMNE-në. Gjatë fushatës aspak nuk e përmendi ligjin për amnisti për të dënuarit e 27 prillit, edhe pse dihen pozicionet e VMRO-DPMNE-së rreth kësaj teme.

Në vitin 2021, Dimitrievski në Facebook, kishte shkruar që 27 prilli nuk duhet të përsëritet asnjëherë, duke shpërndarë fotografi të ngjarjeve të përgjakshme.

“Sot e kësaj dite besoj se kemi vepruar drejtë. Liria dhe demokracia janë gjithçka. Kur dikush të sulmon duhet të mbrohesh. Koha do të tregojë nëse kemi mbetur konsekuent në ideologjinë e atëhershme apo disa individë u transformuan” – tha Dimitrievski.

Shtatë vite me vonë, 17 persona janë dënuar për 27 prillin. Gjenden në disa nga burgjet e vendit.

Për disa, sulmuesit e maskuar kanë mbrojtur Kushtetutën dhe sulmi ka qenë I arsyeshëm, derisa për tjerët, ata janë terroristë dhe ngjarjet e këtilla nuk duhet të përsëriten.

Procesi gjyqësor për 27 prillin u zhvillua nën rrethana kontraverze, kurse Qeveria që udhëhiqej nga LSDM-ja refuzoi Ligjin për Amnisti që e dorëzoi Grupi Parlamentar i VMRO-DPMNE-së. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share