Këtë të Mërkurë janë arrestuar 5 persona për shpërndarje të kokainës në lokalet e natës në Tiranë. Policia bën me dije se atyre u është sekuestruar 1 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, 9 aparate celularë, 710 euro si dhe 149 000 lekë.
Mësohet se të arrestuarit janë Ledjo Gashi, Ergi Saliu, Brajan Lala, Erges Nexhipi dhe Mario Dema.
“Finalizohet me sukses pas një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar “Moncler”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë.
Vihen në pranga 5 shtetas që në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë, në lokalet e natës në Tiranë. Sekuestrohen rreth 1 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, 9 aparate celulare, 710 euro si dhe 149 000 lekë.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Moncler”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. G., 26 vjeç, E. S., 29 vjeç, të dy banues në Shijak, B. L., 24 vjeç, E. N., 34 vjeç, të dy banues në Durrës, dhe M. D., 32 vjeç, banues në Rrashbull. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi D. B., 34 vjeç. Në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, në afërsi të fshatit Marikaj, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit të njërit prej automjeteve të tyre, u gjet një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë rreth 1 kg e 100 gr.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në Durrës, dhe më pas e shisnin atë kryesisht në lokale të natës, në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 1 kg e 100 gr lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 3 automjete, 9 aparate celulare, 710 euro si dhe 149 000 lekë. Vijon puna për kapjen e shtetasit D. B. Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./tvklan.al