Fshirja e diasporës/ BDI: Komuna e Gostivarit mbetet me 23 këshilltarë komunal, krahasohet me Zelenikovën, Kratovën, Berovën, Krushevën dhe Veçanin

Lekë Dalipi – Këshilltar komunal nga radhët e BDI-së:

Të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar qytetarë. Këtë konferencë për mediat e thirrim për të shprehur shqetësimin tonë të thellë për vendimin qeveritar për të fshirë banorët jo rezidentë, pra Diasporën tonë, nga çdo organizim dhe planifikim shtetërorë. I tillë ishte edhe vendimi i fundit i kësaj qeverie monoetnike që mban datën: 24 shtator – 2024, për verifikimin e numrit të këshilltarëve komunal në komunat e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Vendimet në vazhdimësi, me theks të veçantë ky vendim i 24 shtatorit, po godet rëndë edhe qytetin dhe qytetarët e Gostivarit. Këshilli i Komunës së Gostivarit reduktohet për 8 këshilltarë komunal. Nga numri i përgjithshëm prej 31 këshilltarë, aq sa ka numëruar në këto 34 vite pluralizëm politik, me ngritjen e dorës të Arben Taravarit, Izet Mexhitit, Fatmir Limanit dhe vazalëve të tjerë qeveritarë të VLEN-it, numri i këshillltarëve komunal në Gostivar zvogëlohet në 23. Kjo ndodh për shkak se qeveria monoetnike solli vendim që nga numri i përgjithshëm i popullsisë në territorin e komunës së Gostivarit, të fshihen 33.803 mërgimtarë. Në regjistrimin e vitit 2021, në komunën e Gostivarit u evidentuan 93.573 qytetarë rezidentë dhe jorezidentë.

Me fshirej e mërgatës, Gostivari ka ngelur me 59.770 qytetarë, dhe për pasojë edhe numri i këshilltarëve komunal është zvogëluar për gati 30%. Me këtë vendim të qeverisë me legjitimitet monoetnike, Gostivari i cili deri dje ishte një nga pesë qytetetët më të mëdhaja të Maqedonisë së Veriut, tani kalin në mesin e komunave rurale dhe do të krahasohet me komunën e Zelenikovës, Kratovës, Berovës, Krushevës dhe Veçanit.

Përjashtimi i banorëve jorezidentë nga komuna e Gostivarit, veçanërisht i pjesëtarëve të diasporës shqiptare, ngre shqetësime të mëdha lidhur me ndikimin e tyre në interest tona kombëtare. Shqiptarët, si komunitet idytë nga madhësia në Maqedoni të Veriut, mbështeten në forcën e tyre kolektive për të ruajtur ndikimin kulturor, social dhe ekonomik. Përjashtimi i diasporës nga qeverisja lokale, veçanërisht nga pjesëmarrja në zgjedhjen e këshilltarëve komunalë, ka disa pasoja të dëmshme.

Së pari, ul artificialisht numrin zyrtar të popullsisë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në numrin e këshilltarëve komunal. Duke qenë se përfaqësimi shpesh bazohet në popullsi, ky reduktim në numër dobëson zërin e shqiptarëve brenda komunës, duke e çuar në një rol të zvogëluar në vendimmarrjen lokale. Më pak këshilltarë do të thotë më pak ndikim mbi çështjet kritike lokale si shpërndarja e burimeve, shërbimet publike dhe zhvillimi infrastrukturor, që nga ana tjetër dëmton perspektivat ekonomike afatgjata të komunitetit tonë.

Së dyti, kjo ulje anashkalon kontributet financiare dhe sociale që diaspora vazhdon t’i japë komunitetit lokal. Shumë shqiptarë jashtë vendit mbajnë lidhje të thella me Gostivarin, duke mbështetur financiarisht familjet e tyre dhe duke investuar në bizneset dhe infrastrukturën vendase. Duke ua mohuar pjesëmarrjen në punët komunale, pushteti vendor rrezikon të tjetërsojë një segment të rëndësishëm të bazës së saj mbështetëse. Këta emigrantë, megjithëse mungojnë fizikisht, janë ende lojtarë vendimtarë në mirëqenien sociale dhe ekonomike të qytetit dhe përjashtimi i tyre dobëson lidhjen komunale dhe kufizon mundësitë e mundshme të zhvillimit.

Së treti, përjashtimi i anëtarëve të diasporës cenon unitetin tonë kombëtar. Shqiptarët, si brenda Maqedonisë së Veriut ashtu edhe në diasporën e gjerë, ndajnë një qëllim të përbashkët për ruajtjen e trashëgimisë së tyre kulturore dhe gjuhësore në një shoqëri multietnike.

Fragmentimi i këtij uniteti duke kufizuar rolin e diasporës në qeverisjen vendore dobëson aftësinë kolektive për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Ky vendim dërgon një mesazh ndarjeje dhe jo përfshirjeje, gjë që mund të nxisë shkëputjen nga diaspora, duke dëmtuar më tej lidhjet komunale.

Së fundi, kjo rrezikon të krijojë një çekuilibër afatgjatë në dinamikën e pushtetit brenda komunës. Pa përfaqësimin e plotë të popullsisë shqiptare, ajo i hap dyert grupeve të tjera për të dominuar politikisht, duke margjinalizuar më tej interesat shqiptare.

Në një rajon ku ekuilibri etnik është delikat, ndryshime të tilla mund të kenë efekte katastrofale, duke dëmtuar ndikimin e shqiptarëve jo vetëm në Gostivar por edhe në komunat fqinje. Përjashtimi i shqiptarëve jorezidentë nga punët komunale të Gostivarit jo vetëm që zvogëlon përfaqësimin politik të komunitetit, por edhe dobëson strukturën e tij ekonomike dhe sociale.

Duke pasur parasysh rolin jetik që luan diaspora në ruajtjen e interesave lokale dhe kombëtare shqiptare, është thelbësore përfshirja e tyre në procesin politik, duke siguruar një zë të unifikuar dhe më të fortë për shqiptarët brenda komunës dhe më gjerë.

Kjo është e arritura për Gostivarin e koalicionit VLEN që hyri në qeveri si humbëse e zgjedhjeve dhe pa legjitimitet politik.

Kjo është dhurata e Arben Taravarit për qytetarët e Gostivarit që i besuan dy mandate qeverisje me komunën e Gostivarit. Dhe pasi e thehu besimin e qytetarëve duke lënë mandatin në gjysëm për t’u bërë ministër i shëndetësisë, me këtë vendim të qeverisë, vulosi përfundimisht dënimin politik që ua bëri qytetarëve të Gostivarit.

Qeverisi gati shtatë vjet me Gostivarin dhe nuk bëri asgjë për të ndaluar shpërnguljen masive të qytetarëve të Gostivarit, Taravari i dha dënimin kapital qytetin të Gostivarit duke i fshirë mni 33 mijë mërgimtarë nga numri i përgjithshëm i popullatës.

Siç shihet, Arben Taravari ka pasur në konsideratë vetëm votat e mërgimtarëve, por jo edhe ekzistencën fatin e tyre.

E pyesim Arben Taravarin, çfarë është ky mllef ndaj qytetarëve të Gostivarit? Pse e braktisi mandatin e kryetarit të komunës duke e lënë komunën në kolaps të plotë? A mos është refelektim për humbjen katastrofale në zgjedhjet e fundit parlamentare e presidencale të vitit 2024?

Nëse kjo është arsyeja e ndëshkimit ndaj Gostivarit, e ftojmë të heq dorë nga ky mision çorroditës, sepse, dënimi i popullit është fatal për politikanët e tillë. Historia e ka dëshmuar këtë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share