Fshihet nga YouTube kënga ikonike e Parashqevi Simakut “E duam lumturinë”, Pirro Çako e publikon në kanalin e tij!

Një nga këngët më ikonike të viteve të arta të muzikës shqiptare, “E duam lumturinë” e këngëtares së njohur Parashqevi Simaku, ka qenë ndër këngët më të preferuara të publikut shqiptar në platformën YouTube.

E ngarkuar fillimisht në një kanal jozyrtar prej më shumë se nëntë vitesh, kënga kishte grumbulluar gati 6 milionë shikime, duke dëshmuar popullaritetin e saj të qëndrueshëm ndër vite.

Kjo këngë nostalgjike ishte kthyer në një pikë referimi për shumë dëgjues që riktheheshin shpesh për ta shijuar, veçanërisht në periudha kur lajmet për këngëtaren në SHBA ringjallnin interesin për artin e saj. Vetëm gjatë javës së fundit, më shumë se 200 mijë klikime iu shtuan versionit të saj të mëparshëm në YouTube, ndërkohë që emri i Parashqevi Simakut përflitej sërish.

Por, në një kthesë të papritur, versioni me miliona shikime është fshirë nga platforma. Kënga është rihedhur në YouTube, këtë herë nga kanali zyrtar i kompozitorit të saj, Pirro Çako, një veprim që tregon një qasje të re drejt menaxhimit të të drejtave të saj. Sipas të dhënave, tashmë kënga menaxhohet nga kompania “FOLÉ”, e cila duket se ka marrë përsipër administrimin e të drejtave autoriale.

“E duam lumturinë” është një krijim i jashtëzakonshëm, me muzikë të Pirro Çakos dhe tekst të poetit të njohur, tashmë të ndjerë, Agim Doçi. Rikthimi i këngës në një kanal zyrtar është një hap i rëndësishëm për të siguruar që ajo të vlerësohet dhe të administrohet në mënyrë të drejtë.

Megjithëse nuk dihet nëse Parashqevi Simaku ka përfituar ndonjëherë monetarisht nga veprat e saj, ky zhvillim mund të jetë një fillim i ri për menaxhimin e trashëgimisë së saj muzikore. Publiku, nga ana tjetër, vazhdon të tregojë dashuri dhe përkushtim për artisten, duke e bërë këtë këngë një simbol të lumturisë dhe nostalgjisë kolektive.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share