Partia Demokratike e Turqve përcaktim programor ka patur anëtarësimin e vendit në NATO. Sot vendi kremton 4-vjetorin e Aleancës, tha Kryetari i kësaj partie Bejxhan Iljas.
Ai tha se së bashku me partitë tjera të “frontit evropian” vazhdojnë të realizojnë synimin tjetër – anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Por, jo vetëm kaq! Sipas Bejxhan Iljas, përvoja e Ali Ahmetit në politikbërjen e vendit por edhe përcaktimet programore e kanë detyruar të jetë pjesë e këtij koalicioni.
“z.Ali Ahmeti na shtriu dorën, vet si politikan me përvojë, ka njohuri për problemet e popullit turk në Maqedoni. Na bëri me dije se këto probleme mund t`i zgjidhim bashkërisht. Fatkeqësisht, turqit por edhe popujt tjerë joshumicë që jetojnë në Maqedoni janë nën hije të popujve më të mëdhenj, këtë e shohim edhe në media, jam për herë të parë në një media në gjuhën shqipe”, deklaroi Bejxhan Iljas.
Bejxhan Iljas thotë se pas SHBA-së, Turqia mbetet partneri tjetër strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe duhet që në të njëjtën vijë të vazhdojnë marrëdhëmiet dypalëshe.
Ai thotë se pas vitit 2001 në Maqedoni është hapur një kapitull I ri.
“Përfaqësimi i drejtë në të kaluarën, pas vitit 2001 hapi një kapitull të ri në këtë vend, ku kategori kushtetuese është edhe përfaqësimi i drejtë. Partitë që janë në frontin evropian ka një kohë të gjatë që janë në politikë dhe kanë qenë pjesë të proceseve të rëndësishme dhe besojmë se të gjithë ne mund të marrin atë forcë dhe përvojë për të vazhduar përpara”, tha Bejxhan Iljas.
Por, çfarë mund të bëjë Fronti Evropian për qytetarin e rëndomtë turk në Maqedoni të Veriut? Kreu I PDT-së, Bejxhan Iljas, përmendi një shembull – problemet me dokumentet personale.
“Guxim të flasin patën vetëm Ali Ahmeti dhe Kryeministri Talat Xhaferi lidhur me problemet e dokumenteve personale. Unë iu drejtova edhe Kuvendit por askush nuk pati guxim të reagojë për problemet lidhur me mungesën e formularëve në gjuhën turke”, tha Bejxhan Iljas.
Kreu i Partisë Demokratike të Turqve, shprehet se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të kërkojnë vetëm votën e shqiptarëve, por nga të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në vend, pasi sipas tij, vizioni dhe përvoja e “frontit evropian” mund ta çojë përpara vendin dhe të jetë pjesë e proceseve të rëndësishme në të ardhmen./tvklan.mk