Raporti vlerëson përfshirjen e Frontex në fshehje dhe kthime të paligjshme të azilkërkuesve nga Greqia në Turqi
Një raport i klasifikuar për Frontex ka treguar se Agjencia e Rojës Kufitare dhe Bregdetare të BE-së, akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut dhe kthime të paligjshme të azilkërkuesve nga Greqia në Turqi.
Raporti prej 120 faqesh u bë publik nga portali i lirisë së informacionit me bazë në Gjermani, FragDenStaat, së bashku me organizatat mediatike Der Spiegel dhe Lighthouse Reports. Kthimi me forcë i njerëzve përtej kufirit ndërkombëtar pa vlerësuar të drejtat e tyre për të aplikuar për azil ose mbrojtje tjetër, shkelin ligjin ndërkombëtar dhe atë të BE-së.
Në raport thuhet se menaxherët e lartë të Frontex kryen sjellje të pahijshme dhe parregullsi të tjera duke fshehur incidentet me azilkërkuesit, duke mos i hetuar apo trajtuar në mënyrë korrekte. “Duke e bërë këtë, ata penguan kapacitetin e Frontex për të përmbushur plotësisht përgjegjësitë, përkatësisht sigurimin për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave themelore”, thuhet në raport.
Dokumenti më shumë se 120 faqe i gjatë, është rezultat i një hetimi disa mujor dhe i një numri intervistash dëshmitarësh nga agjencia e BE kundër mashtrimit. Gjetjet, pjesërisht, çuan në dorëheqjen të drejtorit ekzekutiv të Frontex, Fabrice Leggeri në prill të këtij viti.
Agjencia më e financuar e BE-së, me një buxhet prej 754 milion € ka qenë nën vëzhgim që nga dorëheqja e Leggerit në prill dhe ka pasur thirrje që ajo të tërhiqet nga operacionet në Greqi për shkak të raporteve për shkelje të të drejtave të njeriut në kufijtë e saj. Athina mohon me forcë praktika të tilla dhe thotë se ajo i përmbahet rreptësisht të drejtës ndërkombëtare.
Frontex, i cili ka një drejtues të ri të përkohshëm lëshoi një deklaratë javën e kaluar duke përsëritur se veprimet në rajonin e Detit Egje ishin kryer në përputhje me kuadrin ligjor. Agjencia ka sugjeruar se një prani e shtuar e Frontex në Greqi do të ishte zgjidhja për shqetësimet e shkeljeve të të drejtave.
Klan News