Masat janë marrë edhe në Itali, Spanjë dhe Austri ku janë arrestuar disa persona
Policia gjermane ka rritur sigurinë në Katedralen e Këlnit pas indikacioneve për një sulm të planifikuar për natën e Vitit të Ri. Autoritetet kanë përdorur qen për të kontrolluar katedralen pas meshës së Krishtlindjes. Të dielën, në prag të Krishtlindjes, policia ka lajmëruar se do të kryejë një kontroll sigurie për të gjithë vizitorët.
“Duke qenë se aktorët terroristë në të gjithë Evropën po bëjnë thirrje për sulme gjatë Krishtlindjeve autoritetet e sigurisë kanë marrë masat përkatëse. Katedralja e Këlnit është më e vizituara në Evropë dhe ne kemi stacionin kryesor të trenit pranë saj ku mund të kryen sulme. Kjo do të thotë se shumë njerëz që janë në lëvizje. Kjo është arsyeja pse ne kemi marrë masa.”
Gazeta gjermane “Bild” raporton se edhe autoritetet e sigurisë në Austri dhe Spanjë kanë marrë indikacione se një grup islamik do të kryejë sulme gjatë festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Disa xhihadistë të cilë planifikonin të kryenin sulme janë arrestuar në Vjenë, në rrethin Ottakring dhe në Saarland të Gjermanisë. Gjithashtu edhe në Itali vëmendja mbetet shumë e lartë.
Në javët e fundit Ministrja e Brendshme Nancy Faeser ka paralajmëruar për kërcënimin në rritje të dhunës islamike në Gjermani dhe në disa vende të tjera në Evropë, pasi lufta Izrael-Hamas po rrit rrezikun e radikalizimit. Siguria është shtuar edhe në tregjet e Krishtlindjeve, teksa alarmi për sulm terrorist është rritur. Ministria e Brendshme spanjolle njoftoi në fillim të dhjetorit një përforcim të masave të sigurisë duke vendosur alarmin anti-terror në nivelin 4 që është rrezik të lartë, siç ka qenë që nga qershori 2015.
Klan News