Thomas Tuchel merr përsipër përgjegjësitë: Jam vërtetë i zhgënjyer
Firmosi për të fituar në tre frone, por dështoi që në duelin e dytë në krye të Bayern Munich. Thomas Tuchel është larguar me kokën ulur nga Kupa e Gjermanisë, teksa i dha fund aventurës që në raundin çerekfinal. Bavarezët u eliminuan në mënyrë surprizë, 2-1 nga Freiburg. Dueli rekord i Thomas Muller, 64 ndeshje me fanellën e Bayern në turneun e dytë për nga rëndësia në Gjermani nuk shkoi ashtu siç pritej. Miqtë arritën që të bënin mrekullinë falë një goli nga pika e bardhë e penalltisë në çastet e fundit. Përgjegjësitë e këtij eliminimi e mori përsipër trajneri Tuchel.
“Jam vërtetë i zemëruar. Pësuam dy gola në dy goditje. Kishim raste të mira për të shënuar që mund t’i kishim shfrytëzuar. Në fund është faji ynë. Jemi shumë të zhgënjyer duke humbur një çerekfinale në shtëpinë tonë. Sigurisht që jam përgjegjës”.
Bayern që kryeson renditjen në Bundesligën gjermane mund të hakmerret ndaj Freiburg në duelin e fundjavës. Kampionët do të udhëtojnë drejt Europa-Park këtë të shtunë, në sfidën e vlefshme për kampionat. Ndërkaq, fokusi më i madh do të jetë tek përballja e Champions League, ku sfidojnë Manchester City në raundin çerekfinal.
Klan News