Në 7 muaj rreth 39 mijë turistë francezë vizituan Shqipërinë
Shqipëria mbetet një vend interesant për t’u vizituar dhe eksploruar nga turistët e huaj, por mbi të gjitha për mediat ndërkombëtare. Jemi mësuar shpesh këto vitet e fundit të shohim shkrime të shumta për bukuritë e bregdetit dhe turizmit malor të vendit tonë, një pjesë e të cilave në gazetat dhe televizionet e njohura ndërkombëtare për promovimin e turizmit të vendit tonë.
Por shkrimi i gazetës franceze “Femina” nga gazetarja Laurence Depoux ( LORONS DEPU) ka sjellë një tjetër këndveshtrim për atë pjesë të bregdetit jonian që shtrihet nga Vlora, Karaburuni, Dhërmiu e Qeparoi, por dhe zonat që lag Vjosa ku ndalesa ka qenë Përmeti. Në shkrim përfshihet dhe këndvështrimi dhe shpjegimi i një të riu shqiptar që ka qenë udhërrëfyesi i gazetares.
Përmes këtij shkrimi, Depu ju tregon lexueseve francezë gërshetimin e dy botëve në peisazhin dhe infrastrukturën e turizmit shqiptar, atë modern që vjen përmes hoteleve luksoze, por me çmime shumë të mira për një pushues nga Franca dhe atë peisazhin e egër e shpesh dhe të virgjër si ne Karaburun ku ende ka relike të regjimit komunist si bunkeret. Këta të fundit, në Shqipëri i gjen të kthyer dhe në struktura biznesi.
Ftesa e gazetares Depu për turistët francezë për të vizituar Shqipërinë është intriguese: Në Shqipëri është gjithmonë kështu, duhet të afrohesh, ta shikosh nga afër.
E sigurisht dhe falë shkrimeve të tilla si ky i gazetës franceze, është bërë e mundur që vetëm në 7 muajt e parë të këtij viti, numri i francezëve që kanë vizituar Shqipërinë të dyfishohet, nga rreth 19 mijë një vit më parë në afro 39 mijë deri në muajin Korrik, shifra këto qe publikohen edhe nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
Tv Klan