Franca, Gjermania dhe Polonia, thirrje për liberalizmin e vizave për Kosovën

Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët kanë bërë thirrje për progres në procesin e liberalizmit të vizave për Kosovën.

“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e 16 shtatorit.

Këto tri shtete, të njohura si “Trekëndëshi i Vajmarit”, thonë po ashtu se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë është e nevojshme për përparimin e dy vendeve.

“Ne e mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i lejon Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon”, vazhdon deklarata e përbashkët.

Vendet janë pajtuar për një vizitë tripalëshe në Ballkanin Perëndimor. Ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk ka liberalizim vizash me BE-në.

Rezerva të mëdha kanë shprehur më herët Franca dhe Holanda.

Kosovës i janë vendosur dhjetëra kritere, edhe shtesë, të cilat, sipas Komisionit Evropian, janë plotësuar. Megjithatë, nga viti 2018, shtetet e BE-së nuk kanë arritur pajtim për t’iu mundësuar kosovarëve lëvizje të lirë.

Aktualisht, Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në, e cila është marrëveshje e vetme kontraktuale midis dy vendeve. Kjo marrëveshje njëherësh është edhe hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share