Stadiumi i mrekullueshëm “Lusail”, 35 kilometra larg kryeqytetit të Katarit, Doha, sot pasdite prej orës 16:00 do të jetë nikoqir i finales së Botërorit 2022 në të cilën kapiteni argjentinas, Lionel Mesi ka mundësinë e fundit ta fitojë trofeun e vetëm që i mungon në karrierën e tij të pasur, përderisa Franca, nga ana tjetër, do të tentojë të bëhet vetëm reprezentacioni i tretë, i cili ka arritur ta mbrojë titullin botëror, pas Italisë dhe Brazilit.
Një gjë është e sigurt – Franca apo Argjentina për herë të tretë do të bëhen kampion botëror.
Argjentina e luan finalen e gjashtë botërore, ndërsa trofeun e pret prej vitit 1986, kur gauçët e kryesuar nga Diego Maradona triumfuan në turneun final në Meksikë.
Mesi, krahas mundësisë për ta fituar titullin botëror, do të bëhet futbollisti me më së shumti paraqitje në kampionatet botërore në histori (26).
Nga ana tjetër, Franca, e kryesuar nga Kilian Mbape, e luan finalen e vet të katërt në kampionatet botërore, ndërsa të tretën në shekullin 21.
Me triumfin e Francës, Mbape mund të bëhet vetëm lojtari i dytë në histori që fitoi dy tituj kampionësh para se të mbushë 24 vite, pas brazilianit legjendar, Pele.
Finalja është me fillim në orën 16:00, ndërsa gjyqtar kryesor do të jetë Simon Marçinjak nga Polonia.
Në finalen e vogël dje Kroacia e mposhti Marokon me rezultat 2-1.