Formula 1: Yjet rreshtohen në anën e Alonsos

Fernando Alonso është rikthyer protagonist në Formula 1. Makina Aston Martin, ndryshe nga sezonet e kaluara në skuderi të tjera, i ka krijuar mundësinë pilotit spanjoll të konkurrojë në pistë me këdo teksa vetëm Max Verstappen me Red Bull duket më mirë.

Në dy garat e para të sezonit, 41-vjeçari është ngjitur dy herë në podium, diçka që nuk përsëritej prej vitit të largët 2007.

Tashmë, fokusi i Alonsos kalon tek gara e radhës e cila zhvillohet këtë fundjavë në Australi.

Numrat dhe fati duket se janë në anën e Alonsos pasi në të vetmin rast që spanjolli fitonte në Melbourne, data shënonte dy prill i vitit 2006. Tashmë, 17 vite më pas, këtë të diel, data do të jetë sërish dy prill me Alonson që do të tentojë triumfin e dytë në tokën australiane.

Së fundmi, rreth rikthimit të Alonsos mes pretedentëve foli edhe dy herë Kampioni i Botës, Max Verstappen me holandezin që u shpreh se është i lumtur kur sheh “veteranin” të fitojë në pistë.

“Fernando duhej të kishte fituar në më shumë pista, për mua meriton shumë më tepër nga sa ka fituar. Mua më gëzon kur e shoh të fitojë dhe të festojë në pistë. Dua që ai të fitojë edhe më shumë, por kjo mbetet për t’u parë”, u shpreh Verstappen.

Sakaq, një tjetër koinçidencë në këtë fundjavë për Alonson është edhe fakti se ai për momentin është në kuotën e 100 podiumeve dhe në historinë e Formula 1, kushdo që ka arritur në kuotën e 101 podiumeve, ia ka dalë të fitojë në fund garën. . Mbetet për t’u parë tashmë nëse Alonso do ta respektojë këtë statistikë dhe të mposhtë Verstappen e Red Bull.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share