Formula 1 ka njoftuar se do të bëjë një donacion prej një milion eurove për të ndihmuar në lehtësimin e fatkeqësive pas shiut të dendur në rajonin “Emilia Romagna” të Italisë.
“Grand Prix Imola”, që do të mbahej këtë fundjavë në Italinë Verilindore, u desh të anulohej për shkak të përmbytjeve të rënda, të cilat shkaktuan disa vdekje dhe detyruan mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Fondet e dhuruara do të përdoren nga Agjencia e Sigurisë Territoriale dhe Mbrojtjes Civile të rajonit Emilia Romagna.
Formula 1 publikoi gjithashtu një lidhje për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për të ndihmuar rajonin që pësoi një nga fatkeqësitë më të këqija në më shumë se një shekull.
Ndihma e Formula 1 erdhi një ditë pasi Ferrari, fabrika e të cilit ndodhet në Maranello në Emilia Romagna, dhuroi të njëjtën shumë për të ndihmuar me fatkeqësinë natyrore. /Klankosova.tv.