Formohet Qeveria e re/ Mickoski në ditën e parë si kryeministër premton zhvillim ekonomik të vendit!

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mbrëmë pak para mesnate votoi Qeverinë e re me 77 vota për dhe 22 kundër, e cila përbëhet nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, koalicionit VLEN dhe Lëvizjes ZNAM. Kryeministri i sapozgjedhur, Hrisitjan Mickoski  pranoi mandatin nga paraardhësi i tij, Talat Xhaferi. Kryeministri Hristijan Mickoski, sot ka pranuar mandatin nga paraardhësi i tij, Talat Xhaferi. Në kuadër të ceremonisë së pranim – dorëzimit të detyrës, Mickoski dhe Xhaferi kanë zhvilluar një takim të shkurtë, ku ky i fundit, ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë për çështjet e rëndësisë strategjike.

“I theksuam zgjedhjet e lira, korrekte dhe demokratike si vlerë e shtuar e euro integrimeve. Shpreha shpresë se subjektet politike do të tregojnë nivel të lartë të vetëdijes politike dhe do të jenë të hapur për bashkëpunim për prioritetet strategjike të shtetit” – tha Talat Xhaferi.

Ndërkaq, Mickoski paralajmëroi qeveri reformuese dhe investime të menjëhershme.

“Vizioni im është i orientuar drejt zhvillimit ekonomik, kohezionit social dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ngelemi të përkushtuar në zgjidhjen e çështjeve urgjente me të cilat përballemi dhe punë drejt një shteti të unifikuar dhe prosperues” – tha Mickoski.

Përpos në Qeveri, ceremoni e pranim dorëzimit të Qeverisë u zhvillua edhe në disa ministri të tjera.

Ish-ministri Nazim Bushi ia dorëzoi detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme ministrit të sapoemëruar Pançe Toshkovski, i cili ishte edhe ministër teknik i Punëve të Brendshme.

Kryetari i deritanishëm i Komunës së Gostivarit Arben Taravari nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga pozita e Kryetarit të Komunës së Gostivarit për të vazhduar si Ministër i Shëndetësisë. Në vendin e Taravarit si u.d Kryetar i Gostivarit do të ulet Valbon Limani.

Edhe ministri i ri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski sot mori detyrë, duke ardhur në pozitën e ministrit të deritanishëm Tiron Jajaga. Ai premtoi se do të punojë e imazhit dhe pozicionit ndërkombëtar të shtetit.

Ndërkaq, ministrja e re e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila sot morri funksionin nga ministri i deritanishëm Jeton Shaqiri, tha se, do të punojë në modernizimin e arsimit dhe stimulimin e veprimtarisë kërkimoro-shkencore në Maqedoni, përmes zëvendësimit të improvizimeve dhe vendimeve ad hoc me politika gjithëpërfshirëse afatgjate të krijuara me kontributin e të gjitha palëve të interesuara. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share