Një operacion policor i forcave speciale greke ka përfunduar në revoltë në burgun e Janinës. Policia greke kishte hetuar një grup brenda burgut të Stavrakiout në Janinë, të kontrolluar nga ai që njihet si “Bossi” apo “Shefi”.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për të dënuarin shqiptar Edmond Përbasha. Forcat speciale, bashkë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, kanë ndërhyrë në burg për të ekzekutuar urdhër arreste dhe për të kryer kontrolle për drogë, armë, celularë etj.
Kontrollet kanë shkaktuar revoltë ndër të burgosurit, të cilët kanë djegur dyshekë e sende të tjera. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar 3 zjarrfikëse, ndërkohë që forca të shumta policore vazhdojnë operacionin. Disa prej të burgosurve janë transferuar.