Forcat izraelite bastisin spitalin në Bregun Perëndimor

Hamasi po shqyrton propozimin e ri të armëpushimit ndërsa kërkon të ndalet agresioni dhe të tërhiqen forcat

Forcat speciale izraelite të veshur si mjekë dhe infermierë vranë tre palestinezë brenda spitalit Ibn Sina në Jenin në Bregun Perëndimor.

Duke ecur me armë nëpër një korridor në spitalin Ibn Sina ata hapën zjarr duke shkaktuar panik. Sipas personelit mjekësor, një nga tre palestinezët u vra teksa po trajtohej për një dëmtim të cilin e kishte marrë gjatë një bastisjeje të ushtrisë muaj më parë.

Kjo është hera e parë që nga fillimi i luftës në Gaza që forcat izraelite kryejnë një operacion si ky brenda një institucioni mjekësor civil.

Në fushën e betejës në veri të Rripit të Gazës, forcat izraelite detyruan më shumë banorë palestinezë të iknin në zona më të sigurta dhe pjesët jugore të enklavës bregdetare. Avionët izraelitë shënjestruan shtëpinë e një familjeje duke vrarë të paktën 20 civilë dhe duke plagosur qindra të tjerë.

Udhëheqësi i Hamasit Ismail Haniyeh ka deklaruar se po shqyrton propozimin e ri të armëpushimit duke thënë se përparësia është ndalimi i agresionit brutal kundër Gazës dhe tërheqja e plotë e forcave pushtuese. Ai është shprehur se mbetet i gatshëm për negociata bazuar në çdo iniciativë serioze që përfshin shkëmbimin e robërve në Gaza me të burgosurit palestinezë të mbajtur nga Izraeli dhe fillimin e një procesi rindërtimi për Gazën e rrethuar.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të mbërrijë në Izrael gjatë fundjavës për vizitën e tij të gjashtë në rajon që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza. Diplomati amerikan do të jetë në Izrael nga e shtuna deri të hënën ku do të takohet me Koordinatoren e sapoemëruar Humanitare dhe Rindërtimit të OKB-së për Gazën Sigrid Kaag përpara se të niset për në Izrael.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar vendeve që të vazhdojnë financimin e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë ( UNRWA ). Sipas OBSH ky hetim largon vëmendjen nga bombardimet e vazhdueshme të palestinezëve në Gaza, madje edhe në zonat e caktuara të sigurta, si dhe nga sulmet ndaj strehëzave, shkollave, spitaleve.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share