Forcat e NATO-s të përgatitura të intervenojnë në Kosovë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar të dielën Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është i përgatitur për të intervenuar nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komnat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”.

Ky mision ka thënë se do të marrë çfarëdo mase që është e nevojshme për të mbajtur ambientin në Kosovë të sigurt në çdo kohë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, janë përgjegjësit kryesorë për situatën në veri të Kosovës.

Petkoviq, në anën tjetër, ka akuzuar Kurtin për krizën.

“Fajtori i vetëm për situatën aktuale në Kosovë dhe Metohi është Alibin Kurti, i cili me lëvizjet e tij të papërgjegjshme po shkakton krizë të re në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ka thënë Petkoviq në një deklaratë me shkrim./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share