Vendimi përfundimtar mund të merret në muajin Shkurt
Shtetet anëtare te BE-së janë të gatshme që t’i japin dritën jeshile planit të rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor, por përparimi në sundimin e ligjit dhe respektimi i politikës së jashtme të BE-së do të jenë kushte për përfitimin e këtyre parave.
Në rastin e Serbisë, kusht shtesë për shfrytëzimin e fondeve nga plani 6 miliardë euro i propozuar nga Komisioni Evropian në muajin nëntor është zbatimi i marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën. Shtetet anëtare te BE-se kanë nisur tashmë një diskutim të brendshëm për miratimin e këtij plani për Ballkanin Perëndimor.
Vendimi përfundimtar mund të merret në muajin shkurt, nëse deri atëherë arrihet një marrëveshje për ribalancimin e buxhetit të BE-së, i cili u vonua për shkak të vetos së Hungarisë për ndihmën financiare për Ukrainën. Belgjika, si presidente e rradhës e BE-së, dëshiron që debati për planin për Ballkanin Perëndimor dhe diskutimet me Parlamentin Evropian të përfundojnë para zgjedhjeve evropiane që mbahen në muajin qershor, në mënyrë që zbatimi i planit të mos presë formimin e një administrate të re evropiane.
Plani për rritjen e Ballkanit Perëndimor kap vlerën e 6 miliardë eurove, nga të cilat dy miliardë janë fonde të pakthyeshme. Këto janë fonde shtesë, të reja në krahasim me fondet e para-anëtarësimit IPA që Serbia dhe vendet e tjera kandidate tashmë i kanë në dispozicion.
Plani i Komisionit Evropian përfshin integrimin gradual të ekonomive të Ballkanit Perëndimor në shtatë sektorët e tregut të përbashkët të BE-së tashmë gjatë fazës së anëtarësimit. Me zbatimin e planit, Serbia mund të dyfishojë përafërsisht shumën e granteve që merr nga Brukseli, aktualisht në nivelin rreth 200 milionë euro në vit. Kushtet e vendosura ndaj Beogradit tashmë po ngadalësojnë negociatat e anëtarësimit dhe po ashtu mund të ndikojnë edhe në përdorimin e fondeve nga plani i ri i rritjes ekonomike.
Klan News