FLORIDA JUGLINDORE NËN UJE
Pjesa juglindore e Floridës është përfshirë nga stuhi që kanë shkaktuar përmbytje të fuqishme. Qindra fluturime u anuluan ndërsa në disa zona është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Ndërkaq në Brazil zjarret janë intensifikuar.
Reshjet rekord përmbytën Floridën juglindore duke i shndërruar rrugët në lumenj.
Qindra fluturime u anuluan për shkak të stuhisë dhe erërave të forta. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për pesë qarqe pas reshjeve të rrëmbyeshme. Nën alarm janë edhe disa rajone të tjera pasi stuhia në trajtën e një uragani pritet të përkeqësohet gjatë ditëve të ardhshme.
Përmbytjet shkaktuan gjithashtu dëme edhe në disa shtëpi ndërsa rrjedha e fuqishme e ujit në disa zona mori përpara çdo gjë. Erërat e forta rrëzuan shumë pemë dhe shkaktuan disa dëme në biznese. Nuk raportohet për të lënduar.
Shërbimi Kombëtar i Motit parashikon aktivitet mbi normalen e uraganit në Atlantik përgjatë këtij viti i cili pritet të zgjasë deri më 30 nëntor. Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike vlerëson se ka një shans 85% që sezoni i uraganeve të Atlantikut të jetë mbi mesataren, duke parashikuar midis 17 dhe 25 stuhi në muajt e ardhshëm, 13 prej të cilave do të jenë uragane te medha.
Ndërkaq moti i keq ka përfshirë edhe Kilin. Përmbytjet e fuqishme detyruan autoritetet që të evakuonin disa komunitete në pjesën jug-qendrore të Kilit. Njerëzit në rajonin Biobio, rajonin Nuble, Maule, Metropolitan, Valparaiso janë paralajmëruar të marrin masa paraprake, pasi një tjetër stuhi e fortë pritet të përfshijë këto zona. Dëmi më i madh është regjistruar në Biobio me 1264 shtëpi të përmbytura.
Në Brazil përmbytjet shkatërruese tanimë i kanë lënë vendin thatësirës dhe zjarreve. Një zjarr i madh në Pantanalin e Brazilit, ligatinën më të madhe tropikale në botë, ka intensifikuar shqetësimet mes banorëve locale.
Të dhënat satelitore nga Instituti Kombëtar i Brazilit për Kërkimet Hapësinore (INPE) tregojnë se zjarret në Pantanal janë rritur pothuajse dhjetëfish deri më tani këtë vit. Shifrat kanë ngritur alarmin teksa rajoni do të preket edhe më shumë nga zjarret një sezon që zakonisht fillon në korrik dhe arrin kulmin në gusht dhe shtator./tvklan.mk/