Flakët përpijnë katin e katërt të qendrës tregtare në Lushnje, zjarri merr përmasa të mëdha

Ndonëse prej orësh zjarrfikësit po punonin për të vënë nën kontroll vatrat e zjarri në qendrën tregtare në Lushnje, gjatë mbrëmjes flakët janë riaktivizuar, duke përpirë katin e katërt. Këto janë pamjet që sjell nga vendi i ngjarjes gazetarja Anila Sefa.

Flakët kanë shkrumbuar të gjithë këtë kat, duke bërë që e gjithë fasada të shkrihet dhe të bjerë edhe një pjesë e soletës. Pikërisht në këtë kat dyshohet se ishte dhe vendi ku nisi zjarri rreth orës 14:40 të kësaj të hëne duke shkaktuar një operacion masiv. Një ngjarje e paprecedentë që ka angazhuar forca të shumta zjarrfikëse jo vetëm nga Lushnja e qytetet përreth, por edhe nga Tirana. Gjatë mbrëmjes, gazetarja Anila Sefa raporton se gjatë mbrëmjes në vendngjarje kanë shkuar edhe 10 automjete të tjera zjarrfikëse.

U deshën mbi 3 orë që dy godinat të cilat lidhen me këtë qendër tregtare, të boshatiseshin nga banorët. Problematike situata ishte në njërën prej tyre, aty ku u desh ndërhyrja me vinç nga jashtë dhe e forcave RENEA nga brenda, për të shpëtuar deri në banorin e fundit. Të paktën 42 persona u asfiksuan, mes tyre edhe fëmijë.


Shkaqet e rënies së këtij zjarri masiv mbeten të paqarta dhe pritet që ato të zbardhen nga hetimet.

Situata aktualisht është e rrezikshme pasi mbi katin e katërt të kësaj godine ndodhen apartamente banimi, që përveç dëmit që kanë pësuar tashmë rrezikojnë të digjen tërësisht./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share