Ashtu si çdo 9 Maj që nga viti 1945, Rusia ka kujtuar edhe këtë vit “Ditën e Fitores” që shënon fitoren e Bashkimit Sovjektik ndaj Gjermanisë naziste.
Presidenti rus, Vladimir Putin e nisi fjalimin e tij duke uruar ushtrinë ruse për “Ditën e Fitores” teksa thotë se tani po bëhet një luftë e vërtetë dhe pretendon se Rusia po mbron sovranitetin e saj.
“Sot qytetërimi është përsëri në një pikë kthese vendimtare. Një luftë e vërtetë është nisur përsëri kundër Atdheut tonë, por ne kemi kundërshtuar terrorizmin ndërkombëtar, ne do të mbrojmë banorët e Donbasit dhe do të mbrojmë vendin tonë”, shprehet Putin.
Duke iu drejtuar turmave në Sheshin e Kuq, Presidenti Putin tha se “lufta e vërtetë po bëhet kundër atdheut”. Ai thotë se Rusia dëshiron të shohë një të ardhme paqësore, por ai akuzon elitat perëndimore për të cilët shprehet se po mbjellin farën e urrejtjes dhe rusofobisë.
“Betejat që vendosin për fatin e atdheut tonë janë bërë gjithmonë kombëtare dhe të shenjta”, u thotë Putin rusëve.
Udhëheqësi rus shprehet se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa puna e tyre luftarake, pasi siguria e Rusisë llogarit në punën e atyre që janë në vijën e parë.
“Të gjithë po luten për ju,” u thotë ai ushtarëve në Sheshin e Kuq.
Putin shpeshherë e krahason qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës me nazistët e mundur në Luftën e Dytë Botërore. Ai nuk është larguar nga ai skenar as sot, duke akuzuar liderët e Ukrainës si neo-nazistë teksa ngre pretendimin për një luftë të vërtetë që sipas tij po zhvillohet kundër Rusisë.
“Vetëm Rusia i qëndron besnike arritjeve të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Perëndimi ka harruar se kush i mundi nazistët”, thotë Putin.
Në fjalimin e tij, Putin thotë se është krenar për ushtarët që po marrin pjesë në atë që ai e quan “operacion special ushtarak” të Rusisë. Ai shprehet se shtetësia dhe e ardhmja e Rusisë varet nga këta njerëz. Putin shton se të gjithë janë të bashkuar për të mbështetur ata që ai i quan “heronj”.
“Për Rusinë, për forcat tona të armatosura! Nuk ka kauzë më të fortë në botë se dashuria jonë për forcat tona të armatosura,” thotë Putin ndërsa përfundon fjalimin e tij.
Gjatë sundimit të tij, presidenti Vladimir Putin ka kërkuar të përfitojë nga lidhja që rusët kanë për “Ditën e Fitores” dhe krenarinë që shumë njerëz ende ndjejnë për rolin që BRSS luajti në mposhtjen e Gjermanisë naziste./tvklan.al