Fitorja e Vladimir Putinit në zgjedhjet presidenciale ishte njëri prej momenteve më të parashikueshme. Nuk është dashur as shumë pritje, shkruan BBC.
Edhe ashtu, në Rusi Kremlini e kontrollon fort sistemin politik, përfshirë edhe zgjedhjet, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Por çfarë do të bëjë Vladimir Putini me 87 për qind? Si do të duket mandati i pestë i Putinit.
Putin 5.0 nuk do të jetë hiç ndryshe nga Putini 4.0.
Nuk pritet të ketë as asi “momenti abrakadabra”, në të cilin, si me magji, do të ndryshonte gjithçka.
Shanset janë që Putini do të vazhdojë me shtegun e konfliktit jashtë shtetit dhe përndjekjes brenda.
Kjo do të thotë se do të vazhdojë luftën në Ukrainë – dhe konfrontimin me Perëndimin, shto këtu fushatën ideologjike brenda Rusisë. Kështu, Putini po bën përpjekje që ta transformojë Rusinë e tij në shoqëri ushtarake.
Sa i përket shoqërisë civile të Rusisë, ajo veçse është në presion të vazhdueshëm. Ky presion do të ashpërsohet.
87 për qind është shifër astronomike.
Mirëpo nuk do të bindë liderët perëndimor se kjo shifër është reflektim i popullaritetit aktual të Putinit në Rusi.
“Këto nuk dukeshin si zgjedhje të lira dhe fer”, ka komentuar ministri i Jashtëm britanik, David Cameron.
Ama, përbrenda, do t’ia mundësojë Kremlinit që të argumentojë se krejt shteti është i bashkuar përreth Putinit dhe se presidenti rus ka përkrahjen e plotë të popullit të tij.
Putini shpalli fitoren në zgjedhje, por nuk u përball me opozitë kredibile.
87 për qindëshi dërgon edhe një mesazh të qartë te elita politike e Rusisë: “Mbani shënim, ende është një burrë në krye këtu, që kontrollon – dhe se kjo nuk do të ndryshojë për një kohë”.
Kjo ishte e rëndësishme për Putinin, pas më pak se një viti nga kryengritja e mercenarëve të Wagnerit. Kjo kryengritje, e prirë nga Yevgeny Prigozhini, e sfidoi direkt autoritetin e Putinit.
Kur dikush ka 87 për qind të votave – është rritje e madhe e besimit. Kur je president dhe dikush të thotë se ke fituar bindshëm, mund t’ju bëj të ndiheni edhe më fuqishëm, madje i pamposhtur.
Lajmi për fitoren e Putinit të dielën, përçonte një besim.
Ishte besimi i një lideri që tashmë është në pushtet për çerekshekull dhe pritet të bëhet lideri më jetëgjatë i Rusisë që prej Katerinës së Madhe.
Besimi i një lideri që ka ndërtuar sistemin politik që ia dha 87 për qind të votave dhe mandatin e pestë presidencial.
Në fjalimin e fitores foli me besim për progresin e Rusisë në luftën në Ukrainë; kritikoi demokracinë perëndimore dhe parashikoi se Rusia e paszgjedhjeve do të jetë edhe më e fuqishme.
Kritikët thonë se vetëbesimi politik në një lider- sidomos vetëbesimi i tepërt – mund të jetë i rrezikshëm. Kjo bëhet edhe më e rrezikshme në një sistem politik ku nuk ka kontroll dhe balancë.