Fitorja e mundshme e Kamala Harris, si do ta ndikonte Ballkanin dhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë?

Profesori në Universitetin John Hopkins në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Edward P.Joseph ka folur për ndikimin që mund ta ketë rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur se si do të ndikonte fitorja e mundshme e Kamala Harris në Ballkan dhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë, Joseph ka thënë se nuk është i sigurt se çfarë do të sillte fitorja e saj, por thotë se do të ishte e rëndësishme që Harris ta adresonte “paradoksin ballkanik”, shkruan Reporteri.net.

“Nuk e di përgjigjen në këtë pyetje dhe nuk e di nëse do të jetë një vazhdimësi e qasjes së Bidenit, e cila në disa aspekte ka qenë vazhdimësi e qasjes së Trumpit. Trump ka shtyrë përpara mini-Schengenin, Biden ka shtyrë përpara Ballkanin e Hapur. Situata në Ballkan është përkeqësuar dhe nëse Harris do t’i marrë parasysh vështirësitë që Biden ka hasur në Ballkan që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe do të provojë diçka ndryshe, nuk e di”, ka deklaruar Joseph.

Sipas tij, Harris do të duhej të shqyrtojë me kujdes vështirësitë që ka hasur administrate Biden dhe të përballet me to.

“E, çka është paradoksi ballkanik? Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik. Pse situata në Ballkan është përkeqësuar kur Perëndimi është më i fortë dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar? Pse raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë edhe më të përkeqësuara? Pse situata e brendshme në Serbi është përkeqësuar? Pse janë përkeqësuar raportet mes Serbisë dhe Malit të Zi? Pse janë përkeqësuar raportet mes Serbisë dhe Kroacisë?… Kamala Harris dhe këshilltarët e saj do të duhej të përballeshin me paradoksin ballkanik. Dhe, ndryshe nga zyrtarë të lartë të administratës Biden, ata duhet të ndalojnë së pretenduari se ai nuk ekziston”, ka thënë Joseph në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Ndërkohë, rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në presidencë, thotë se mund të çojë në ndryshime drastike në politikën e jashtme të SHBA-së.

“Një ndër çështjet kryesore me efekt në Ballkan, është Ukraina, lufta në Ukrainë. Ai [Trump] mund të përpiqet të arrijë marrëveshje me Rusinë për Ukrainën dhe ta shtyjë Ukrainën drejt një zgjidhjeje territoriale. Nëse e bën këtë, duke treguar një lloj marrëdhënieje miqësore me Putinin, kjo ndikon menjëherë në Ballkan. Sepse, aleanca me autokratë si Putini nënkupton qasje më të butë ndaj [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Për mendimin tim, edhe administrata e Bidenit ka qenë tejet e butë ndaj tij”, thotë ai.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share