Në Kosovë ceremonia kryesore e faljes se namazit të Bajramit u mbajt të dielën në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, me mesazhe për paqe, solidaritet, harmoni dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.
Liderët e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i kanë uruar qytetarët e vendit për festën e Fitër Bajramit, me mesazhe për mirësi dhe tolerancë. Myslimanët në Kosovë dhe në mbarë botën festojnë të dielën e 30 marsit Fitër Bajramin, një festë që shënon përfundimin e agjërimit të muajit të shenjtë të Ramazanit. Presidentja Osmani tha se kjo ditë feste duhet të jetë “një moment reflektimi, dashurie dhe mirësie për të gjithë ne”. “Uroj që lutjet tuaja gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë pranuar, e që shtëpitë tuaja të mbushen me paqe, harmoni e me bekime”, tha ajo. Ndërkohë, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, përcolli mesazhe paqeje, dashurie dhe tolerance mes njerëzve, duke bërë lutje që të ndalet dhuna pas disa vrasjeve që tronditën vendin gjatë muajit mars.