Më shumë se 300 azilkërkues hynë nga Rusia brenda dy ditësh, mbyllja përfundon në 14 Janar 2024
Finlanda ka vendosur të mbyllë sërish kufirin e saj lindor me Rusinë, vetëm një ditë pasi vendi nordik e rihapi atë pas një mbyllje dy-javore.
Më shumë se 300 azilkërkues hynë nga Rusia brenda dy ditësh, sipas autoriteteve finlandeze. Helsinki ka deklaruar se rritja e numrit të azilkërkuesve kohët e fundit që mbërrinin nëpërmjet Rusisë ishte një lëvizje e orkestruar nga Moska si një hakmarrje për vendimin e vendit nordik për të rritur bashkëpunimin në mbrojtje me Shtetet e Bashkuara, një akuzë që Kremlini e ka mohuar.
“Kemi identifikuar hyrje të paligjshme në kufirin lindor të Finlandës. Numri i emigrantëve është rritur dhe fenomeni u përshpejtua më shpejt se ç’pritej. Disa dhjetëra njerëz kanë mbërritur tashmë në Finlandë përmes vendkalimeve kufitare Vaalimaa dhe Niirala. Qeveria ishte e përgatitur që situata të përkeqësohej. Mbyllja përfundon më 14 janar 2024.”
Në një letër të botuar në fillim të kësaj jave, Këshilli i Evropës tha se ishte i shqetësuar për të drejtat e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve pas mbylljes së përkohshme të kufijve dhe i kërkoi Finlandës që t’i mbronte.
Rantanen, e cila përfaqëson Partinë Finlandeze kundër emigracionit, u shpreh se nuk kishte arsye për shqetësime për të drejtat e njeriut. Përafërsisht 900 azilkërkues nga vende si Kenia, Maroku, Pakistani, Somalia, Siria dhe Jemeni hynë në Finlandë nga Rusia në nëntor. Fluksi u ndal kur Finlanda mbylli kufirin në fund të nëntorit, por rifilloi këtë javë kur u hapën dy nga tetë vendkalimet, me rreth 36 persona që kërkonin azil.
Klan News