Për Sali Berishën, financimet ruse në Partinë Demokratike janë akt personal i Lulzim Bashës. Ai u shpreh se nga PD nuk ka dalë dhe nuk ka hyrë asnjë para. Kreu i PD-së foli para anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe theksoi se Edi Rama ia ka mbyllur dosjen ruse Lulzim Bashës.
“Informoj se siç e keni dëgjuar dhe vetë ish-kryetari ka pranuar sipas raporteve serioze financime ruse. Ky është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Për PD si parti e interesit kombëtar ky është shkelmim i njëri prej parimeve më themelore të saj. 3 gjëra dushet t’i keni parasysh. E para gjer sot, nuk ka asnjë individ në PD që të ketë patur dijeni për financime ruse. Në arkën e PD nuk ka hyrë dhe nuk ka dalë sipas dëshmive të besueshme plotësisht të zotit Ristani dhe të ish-kasierit të partisë Ilir Dervishi, asnjë qindarkë nga këto para. Pra është akt personal i Lulzim Bashës. Së dyti në 2018 kur ambasadori amerikan më ka sjellë një dosje në zyrë, në mënyrë absolute, dosja nuk ka patur asgjë tjetër përveç artikullit të Mother Jones dhe fletës nga Departamenti i Drejtësisë që vërtetonte se Nick Muzin është lobist i PD. Kaq kishte. Në Prill pas zgjedhjeve në 6 bashkitë disa bashkatdhetarë tanë na kanë informuar nga Nju Jorku se kanë firmosur, por nuk kanë dhënë asnjë qindarkë siç mashtronte Basha për të financuar lobistët e tij. Pas kësaj kam dalë në media dhe kam akuzuar Ramën se mbylli dosjen ruse të Lulzim Bashës”, tha ai.
Më tej Berisha i bëri thirrje Bashës që të bëjë transparencë për këtë rast pasi çështja është shumë serioze.
“Është i detyruar së paku të thotë ku i mori paratë, kush ia dha, dhe si i dërgoi në Skoci kur kanali bankar nuk ekziston. E shpëtoi një herë Edi Rama, por kjo çështje është shumë serioze. Mendoj që ai nuk duhet ta trajtojë ndryshe, por të bëjë transparencë të plotë se ka drejtuar këtë parti, meqenëse e mohon, ndonëse ju e dini, gjënë më të lehtë ka gënjeshtrën”, tha Berisha.
Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar ngritjen e një auditi për lobimet ruse. Kryetare e këtij grupi pune do të jetë Ledina Mandia, ndërsa Florion Mima, Edmond Spaho, Enno Bozdo dhe Aldo Bumçi do të jenë anëtarë.
Një vendim i tillë erdhi pasi një raport i deklasifikuar nga inteligjenca amerikane, ka zbuluar se Partia Demokratike e Shqipërisë ka përfituar rreth 500,000 Dollarë financime ruse në zgjedhjet e vitit 2017./tvklan.al