Filipçe: Janë tejkaluar krizat në LSDM, Qeveria të miratojë Kodin e ri Penal

Kriza në LSDM është tejkaluar dhe partia po kthehet në formë, kështu bëri të ditur Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe. Ai theksoi se në periudhën e kaluar ka pasur takime të vazhdueshme me anëtarë të partisë dhe me ata që janë aktivë edhe me ata që janë të pakënaqur nga situata të caktuara. Filipçe, kërkon që Qeveria të miratojë Kodin e ri Penal.

Kryetari I LSDM Venko Filipçe paralajmëroi se gjatë periudhës së verës do të formohen grupe punuese, që LSDM-ja të jetë funksionale, ku do të përgatitet strategji e re dhe dokument që do të punohet nën kryesimin e tij dhe do të afirmojnë vlerat socialdemokratike.

“Po fillojmë me përgatitjen e një strategjie krejtësisht të re dhe të ashtuquajtur ‘Bluprint për socialdemokraci’. Ky dokument do të jetë strategjia e re ideologjike dhe politike për modernizimin e LSDM-së. Me të, ne do të bëjmë riafirmimin e vlerave socialdemokratike”, tha Filipçe.

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, kërkon që Qeveria të miratojë Kodin e ri Penal, sipas tij, ligji që e ka miratuar partia e tij vitin e kaluar është i keq dhe me të vjetërsohen veprat e të akuzuarve të korruptuar.  Ai mendon se kanë gabuar me ndryshimet që i propozuan dhe i votuan në Kuvend.

“Në Ministrinë e Drejtësisë ekziston një Kod Penal i hartuar në vitin 2017 kur ministre ishte Renata Deskovska. I propozoj Qeverisë që ta miratojë atë ligj dhe ta korrigjojë gabimin që kemi bërë. Mendoj se nuk duhet shkuar verbërisht përpara, prandaj e ndaj për herë të parë këtë dhe pres që Qeveria të deklarohet për këtë propozim”, u shpreh Filipçe.

Filipçe njoftoi se Grupi parlamentar i LSDM-së, ka përgatitur amandamente lidhur me ribalancin e Buxhetit, që kanë të bëjnë me gjetjen e mjeteve për ata të cilëve në këtë moment u mungojnë, e theks të posaçëm do të vendoset në mundësitë për rritjen e rrogave të punëtorëve.

Filipçe gjithashtu I bëri thirrje Qeverisë që sa më shpejtë në Kuvend ta dorëzojë ligjin për kredinë nga Hungaria, për të cilin tha se ka shumë paqartësi dhe se për herë të parë në histori ne po marrim hua me kredi bilaterale, në vend që shteti të përdorë instrumentet ndërkombëtare, të cilat, siç tha, kanë një mekanizëm të saktë kontrolli. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share