FIFA po përdor gjithashtu inteligjencën artificiale kundër urrejtjes në internet ndaj futbollistëve dhe krejt aktorëve të sportit që drejton në mbarë globin. Njoftimi erdhi në Ditën Botërore kundër gjuhës së urrejtjes.
Me këtë rast, Federata Botërore e Futbollit prezantoi raportin mbi abuzimin në internet që synonte protagonistët e Kupës së Botës në Katar dhe strategjitë që do të zbatojë në të ardhmen për të kufizuar një rritje gjithnjë e më të madhe të këtij fenomeni shkatërrues.
Në Katar, ndeshja që arriti kulmin e ofendimeve gjatë Kupës së Botës ishte çerekfinalja mes Francës dhe Anglisë. 38% e komenteve diskriminuese vinin nga llogaritë evropiane, 36% të tjera nga Amerika e Jugut.
Pasi njoftoi vitin e kaluar se ishte në partneritet me “Fifpro”, sindikatën botërore të futbollistëve profesionistë, për të mbrojtur lojtarët dhe tifozët nga abuzimi në rrjetet sociale, FIFA ka hyrë në veprim. Ajo ka krijuar shërbimin e mbrojtjes së rrjeteve sociale, një grup mjetesh dixhitale të krijuara për të mbrojtur protagonistët e ngjarjeve të FIFA-s.
Mbi 20 milionë postime në rrjetet kryesore sociale u skanuan gjatë Kupës së Botës dhe përmbajtjet fyese u shënuan nga inteligjenca artificiale, me ndihmën e dy niveleve të tjera të kontrollit njerëzor. Gati 20.000 postime dhe komente diskriminuese ose kërcënuese janë identifikuar dhe më shumë se 300 persona janë mbajtur përgjegjës dhe shkeljet, që më pas janë raportuar tek autoritetet për sanksione.
Të gjitha abuzimet janë raportuar në platformat sociale, në shumë raste ato janë hequr falë raportimeve nga FIFA. Ky sistem do të përdoret edhe gjatë Kupës së Botës për femra (20 korrik-20 gusht, në Australi dhe Zelandën e Re). Skuadrave dhe lojtarëve iu ofruan softuerë që fshijnë automatikisht komentet fyese (përfshirë ato të padëshiruara).
“Pozicioni ynë në lidhje me diskriminimin është i qartë: nuk ka vend për asnjë formë urrejtjeje në futboll apo në shoqëri”, – tha presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, pas takimit me Vinicius, i cili së fundi u vu në shënjestër nga komentet raciste. FIFA është e përkushtuar të marrë hapat e nevojshëm për të adresuar këtë çështje përmes raportimit të mediave sociale dhe mekanizmave të heqjes.