Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka njoftuar se ka reaguar zyrtarisht në UEFA për shfaqjen e flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serb me mesazhe politike, shoviniste e raciste kundër Kosovës, gjatë ndeshjes Serbi – Angli, në kuadër të “Euro 2024”.
Shfaqjen e papenguar të mesazheve dhe thirrjeve të tilla në një ngjarje madhështore si “Euro 2024”, FFK-ja e ka quajtur të pakuptimtë dhe absurd.
Madje, ka thënë se nëpërmjet mesazheve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjëve të saj.
“FFK në ankesën e paraqitur me dëshmitë e nevojshme në UEFA, ka kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, si recidiviste e rasteve të tilla. Njëkohësisht, kërkojmë vigjilencë nga organizatori për të evituar shfaqjen e banderolave të tilla në ndeshjet e ardhshme, pasi ato përbëjnë shkelje të rëndë të rregullave të UEFA-së. Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Po ashtu, FFK-ja ka shtuar se qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerave të futbollit dhe promovimit të asaj që UEFA përfaqëson: uniteti, gjithpërfshirje dhe pasion për lojën e futbollit, por njëherësh me vendosmëri mbron edhe dinjitetin e shtetit, që është krijuar me shumë mund e sakrificë.
FFK i bën thirrje UEFA-s që persona me sjellje dhe filozofi të urrejtjes ndaj një populli dhe një shtetit tjetër të mos kenë vend në arenat e futbollit, duke shtuar se ky sport dhe ngjarjet si “Euro 2024” nuk duhet t’u shërbejnë shovinistëve e racistëve për promovim të gjuhës së urrejtjes.