Fevziu viziton Thaçin në Hagë: E vërteta sado të zgjasë do dalë ashtu siç është, UÇK luftoi për lirinë e vendit të saj

Ditën e sotme shënohet 13-vjetori i njohjes si të ligjshme të pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Me këtë rast, në Hagë, këtë të shtunë ka qenë gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, i cili ka vizituar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe 3 drejtuesit e tjerë të UÇK-së që po përballen me gjyqin në Gjykatën Speciale.

Fevziu ka bërë me dije se gjendja emocionale e ish-Presidentit Thaçi është mjaft e mirë. Fevziu tha se Thaçi është i bindur në pafajësinë e tij dhe kjo gjë do të faktohet nga gjykata. Njësoj të bindur janë edhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi. Fevziu u shpreh i bindur që e vërteta sado që të zgjasë do të dalë ashtu siç është, që UÇK luftoi për lirinë e vendit të saj dhe kreu një prej luftërave më të lavdishme të shqiptarëve në historinë e tyre.


“Sot është 13 vjetori i ditës kur Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka njohur si të ligjshme pavarësinë e Kosovës marrë më 17 Shkurt të vitit 2008. Sot kemi ardhur me një grup miqsh për të vizituar ish-Presidentin e Kosovës, ish-lexuesin e Deklaratës së Pavarësisë dhe kryeministrin e asaj kohe, Hashim Thaçi. Hashim Thaçi, i cili ndodhet në gjykatën e posaçme në Hagë, kjo që shihni pas shpinës sime. Ndodhet këtu që prej vjeshtës së vitit 2020. Ndërkohë që së bashku me të janë edhe Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli. Hashim Thaçi duket që është në gjendje mjaft të mirë, po e quaj emocionale, edhe pse ai beson pafund në pafajësinë e tij, është i bindur në pafajësinë e tij dhe është po ashtu i bindur që kjo gjë do të faktohet edhe nga gjykata. Sikur janë të bindur jo vetëm ai, por edhe drejtuesit e tjerë të UÇK-së që ndodhen pas kësaj dere që Ushtria çlirimtare e Kosovës ka qenë një forcë ushtarake dhe politike që ka luftuar vetëm në mbrojtje të popullatës së vet, vetëm në mbrojtje të vendit të vet dhe nuk ka kryer kurrë krime as kundër serbëve, as kundër shqiptarëve dhe as krime lufte, e as krime kundër njerëzimit. Praktikisht një përshëndetje për të gjithë ata që na ndjekin edhe në emër të Hashim Thaçit dhe drejtuesve të tjerë të UÇK-së dhe një bindje absolute që e vërteta sado të zgjasë do dalë ashtu siç është, që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një forcë që luftoi për lirinë e vendit të saj dhe një prej luftërave më të lavdishme që shqiptarët kanë pasur në historinë e tyre. Nga Haga përshëndetje”, tha Fevziu.

Procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi nisi në Gjykatën Speciale për krime të dyshuara lufte në Kosovë më 3 Prill.

Të katër ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u deklaruan të pafajshëm për akuzat që i ngarkojnë me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, e që lidhen me luftën e viteve 1998/99 në Kosovë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share