Festivali “Sunny Hill” në Prishtinë dhe Tiranë

MARREVESHJE MES QEVERISE, KOMUNES DHE ORGANIZATOREVE

Merr papritur një tjetër rrjedhë organizimi i edicionit të këtij viti të festivalit “Sunny Hill”. Organizatorët njoftuan pak ditë më parë se festivali do të organizohej në Tiranë në kodrat e liqenit artificial për shkak të mosmarrëveshjeve që ata kishin me qeverinë e kryeministrit Albin Kurti. Zvarritjet që kjo qeveri po i bënte marrëveshjes për marrjen e një hapësire toke u konsiderua e papranueshme nga Festivali që vendosi të shtegtojë drejt Tiranës duke shkaktuar një sërë reagimesh politike.

Por tashmë duket se në Prishtinë palët e kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Në një deklaratë të përbashkët të Sunny Hill Festival, Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës thuhet se Festivali do të rikthehet në Prishtinë nga data 4 deri në 7 gusht.

Deklarata thekson se në frymën e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht.

Pas këtij lajmi ka reaguar kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj që e ka konsideruar një superlajm për të gjithë pasi Sunny Hill Festival do të mbahet në të dyja kryeqytetet shqiptare.

Ky edicion do të sjellë në Prishtinë emra të njohur të muzikës si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood, por edhe artistët më të njohur shqiptarë teksa në vijim do të zbulohen edhe dy artistë shumë të njohur në botë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share