Fermerët e zemëruar mbërrijnë me traktorë në Bruksel

Kriza është përhapur në disa vende europiane ndërsa përballen me konkurrencë të pandershme

Me fermerët që vazhdojnë të bllokojnë rrugët dhe të synojnë infrastrukturën kryesore anembanë Evropës, fermerët me traktorët e tyre u mblodhën në Bruksel. Ata hodhën vezë drejt ndërtesës ku do të mbahet samiti, si dhe i vunë zjarrin disa kartonave, ndërsa autoritetet përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë fermerët.

Ndërsa kriza e fermerëve nuk është zyrtarisht në axhendën e samitit të BE-së, ajo është e detyruar të diskutohet. Disa organizata fermerësh dhe delegacione nga organizatat bujqësore spanjolle, portugeze dhe italiane do t’i bashkohen samitit të liderëve të BE-së.

Autoritetet franceze kanë paralajmëruar se ndërsa protestat e fermerëve u është dhënë leje për t’u mbajtur në autostrada, policia nuk do t’i lejojë fermerët të bllokojnë aeroportet ose tregun Rungis, ku dyqanet, supermarketet dhe restorantet nga Franca dhe më gjerë blejnë ushqime.

Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në autostradat në Greqinë Qendrore ku fermerët grekë u rreshtuan me traktorët e tyre. Fermerët thonë se po përballen me rritje të kostove të prodhimit, ndërsa çmimet mbeten të ulëta. Ata po kërkojnë kompensim më të shpejtë për të korrat dhe bagëtinë e humbur nga përmbytjet shkatërruese vitin e kaluar dhe nga incidente të tjera të lidhura me motin, si dhe karburant më të lirë.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha të mërkurën se qeveria ka mbështetur fermerët në vitet e fundit, duke përfshirë kompensimin, uljen e taksave dhe kostove për energjinë elektrike dhe materialet bujqësore si ushqimi dhe plehrat, dhe do të vazhdojë të mbështesë sektorin për të gjetur mënyra për të ulur kostot e prodhimit.

Protestat në të gjithë Greqinë Qendrore dhe Veriore janë rritur çdo ditë që kur filluan javën e kaluar, me më shumë fermerë që kërcënuan se do të bllokojnë autostradat për periudha më të gjata. Demostratat janë pjesë e mobilizimeve në të gjithë Evropën, me fermerët që bllokojnë autostradat edhe në Belgjikë, Gjermani dhe Poloni.

“Ne kemi shumë shpresë. Nëse e shihni me sa njerëz jemi këtu sot, jemi të bashkuar për një gjë të përbashkët.”

Fermerët në të gjithë bllokun thonë se nuk paguhen sa duhet, paguajnë taksa të larta dhe përballen me konkurrencë të pandershme nga jashtë. Jo vetëm kaq, por ata kërkojnë gjithashtu çmime më të drejta për prodhimet, vazhdimin e subvencioneve për naftën bujqësore, si dhe anulimin e marrëveshjes mes BE-së dhe vendeve të Amerikës së jugut pasi kjo synon të sjellë prodhime më të lira veçanërisht mishit të viçit, që nuk përmbushin standardet.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share