Joao Felix thuhet se dëshiron të largohet me çdo kusht nga Atletico Madridi pasi ka humbur durimin me trajnerin Diego Simeone, pasi humbi vendin e tij në formacionin titullar.
Trajneri i Atleticos, Simeone preferon Griezmannin, Moratan, Cunhan dhe Angel Correan në repartin e sulmit kohëve të fundit, ku Felix ka luajtur vetëm 29 minuta në katër ndeshjet e fundit.
Ylli portugez ende nuk ka shënuar për skuadrën në La Liga apo në Ligën e Kampionëve në këtë sezon dhe ishte një zëvendësim i papërdorur në mesjavë, në barazimin 0:0 me Club Brugge.
Felix thuhet se është i zhgënjyer me minutazhën e tij dhe dëshiron që të largohet nga Atletico në merkaton e janarit, sipas mediumit portugez “A Bola”.
Kontrata e Felix nuk skadon deri në vitin 2026, dhe ka të ngjarë të kërkojë një shumë të majme për ta transferuar atë nga Atletico, i cili pagoi 125 milionë euro për të nënshkruar atë nga Benfica në vitin 2019.