FC Shkupi zhvilloi stërvitjen e fundit para udhëtimit në Ohër

Cihat Arslan-Qëllimi ynë është që të përgatitemi për garat evropiane

Sot skuadra ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Shkup, një ditë para se nesër të niset për kampin stërvitor në qytetin e Ohrit. Sigurisht se kjo ishte një javë ku futbollistët filluan në rikthimin e formës, duke zhvilluar paralelisht stërvite ne fushë dhe në fitnes qendrën Shkupi Gym.

Trajneri Cihat Arslan ka folur për grumbullimin e parë dhe për fazën përgatitore, si dhe për futbollistët të cilët së fundmi janë bërë pjesë e familjes bardhekaltër.

Fillimisht dua të falënderoj të gjithë futbollistët që janë larguar nga klubi ynë, e dini që numri i tyre ka shkuar në nëntë, e që kjo ka sjellë një ndryshim në ekipin tonë. Tani qëllimi ynë është që të përgatitemi për garat evropiane, për këtë edhe kemi filluar shumë më herët me fazën e përgatitjeve. Duke marrë parasysh largimin e nëntë futbollistëve, qëllimi ynë është që të sjellim zëvendësime adekuate për ta. Caku ynë është që të marrim sa më shumë futbollistë të rinj, edhe atë nga shkollat tona të futbollit, pasi që besoj se kemi futbollist të rinj dhe të mirë. Në Ohër do të marrim shtatë deri tetë futbollistë të rinj nga shkollat tona të futbollit, për të parë nga afër se sa janë të mirë, që të jenë në shërbim të ekipit në të ardhmen. Synimi ynë është që futbollin e Maqedonisë ta prezantojmë sa më mirë në garat evropiane, e pse jo të kapim edhe grupet, pra ky do të jetë edhe pikë synimi ynë, ka thënë trajneri Arslan, i cili mes tjerash ka folur edhe për emrat e rinj, të cilët janë bërë pjesë e skuadrës tonë.

Pa  dyshim se Pinter për ne do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm, ndërsa tani politika e ynë e transferimeve do të jetë të sjellim futbollistë të rinj vendor, sikurse është Vosha por edhe të tjerë që do të jenë së shpejti pjesë e jona. Do të mundohemi të bëjmë një kombinim sa më të mirë me futbollistë të huaj dhe vendor, por kjo do një kohë, pasi po ecim hap pas hapi. Tani është shumë herët, por edhe një herë po e potencoj se qëllimi ynë është për të formuar një ekip me futbollist të rinj dhe të suksesshëm. E kemi parasysh se vitin e kaluar Freddy ishte një futbollist shumë i rëndësishëm për ne, por tani duhet që të gjejmë një zëvendësues të mirë për te. Po mundohemi shumë, por nuk është e lehtë, mirëpo duhet ta plotësojmë atë vend që e la të zbrazët Freddy. Për mua më e rëndësishmja është që të gjejmë futbollist të rinj nga Çairi, nga shkolla jonë, që ata të luajnë këtu dhe të arrijmë suksese me lojtarët tanë, është shprehur trajneri Arslan.

Kujtojmë se ekipi nesër në orët e pasdites do të udhëtojë drejt Ohrit, ku do të qëndrojë deri me 12 qershor, që më pas të rikthehen në Shkup, ku do të zhvillohen edhe dy seanca stërvitore, ndërsa nga 16 deri më 30 qershor do të jemi në kampin stërvitor në Bollu të Turqisë, për fazën më të rëndësishme stërvitore, ku pritet të zhvillojmë dhe disa ndeshje kontrolluese para sfidave evropiane në kualifikueset e Ligës së Konferencës./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share