Me fillimin e sezonit të ri, FC Shkupi, nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka, është gati për sfidën e parë ndaj Voska Sport. Sezoni i ri na gjen me një ekip tërësisht të ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar, me shumë lojtarë të rinj që do të veshin për herë të parë fanellën bardh e kaltër. Si gjithmonë, synojmë të arrijmë objektiva të larta në kampionat.
Gjatë fazave përgatitore, si në vend ashtu edhe në kampin stërvitor në Bolu të Turqisë, ekipi ka treguar përmirësime të dukshme dhe është i gatshëm për sfidat e sezonit. Përballë do të kemi ekipin e Voska Sport, me të cilët kemi zhvilluar katër ndeshje deri më tani, duke regjistruar tre fitore dhe një barazim.
Kapiteni dhe portieri i skuadrës nga Çairi Artan Iljazi para ndeshjes me ekipin Voska Sport shprehet optimist se do t’ia dalin.
“Nesër fillon ndeshja e parë e kampionatit. Ne, si ekip, jemi përgatitur maksimalisht. Kemi ndërtuar një ekip me shumë risi dhe futbollistë të rinj me cilësi të lartë. Ambiciet tona dihen para fillimit të sezonit, që synojmë titullin kampion dhe shpresojmë ta nisim me këmbë mbarë. Me ndihmën e „Shvercerave“, tifozëve tanë besnikë, shpresojmë që në fund të shpërblehemi me rezultate pozitive dhe trofe të fituar”, ka thënë kapiteni Iljazi
Për shkak të temperaturave të larta, stadiumi i Çairit ka pësuar disa dëmtime, ndaj sezonin do ta nisim në stadiumin “Boris Trajkovski” në lagjen Maxhari.
Ndeshja FC Shkupi – Voska Sport do të zhvillohet të dielën, në ora 17:00, me arbitër kryesor Vllatko Ilioskin nga Prilepi.