Familjet ukrainase kërkojnë rikthimin e robërve nga Rusia

Rreth 8000 njerëz mbeten në robërinë ruse ndërsa 50 shkëmbime janë kryer tashmë

Në Kiev, Tymofii Chumak një dy vjeçar mban një fotografi të babait të tij në mitingjet e organizuara nga aktivistët dhe anëtarët e familjes për t’i kujtuar shoqërisë se mijëra ushtarë ukrainas mbahen si robër lufte nga Rusia.

Babai i tij Denys Chumak u kap ndërsa luftonte në qytetin e rrethuar të Mariupolit në maj 2022.

“Dua të qaj… Për mua më e vështira është të shoh fëmijën tonë duke u rritur pa babanë. E di që i mungon vëmendja e tij , është shumë i vetmuar.”

Ukraina thotë se janë rreth 8,000 njerëz  civilë dhe ushtarakë  që mbeten në robërinë ruse si rezultat i agresionit rus në shkallë të plotë të Moskës që filloi dy vjet më parë. Një nga betejat më të ashpra në fillim të luftës ishte në qytetin port jugor të Mariupolit, ku forcat ukrainase të sigurisë, përfshirë Denys, kërkuan të zmbrapsnin rusët përpara se Kievi t’i urdhëronte ata të dorëzoheshin.

Për Alisa dhe Denys, Mariupoli ishte bërë shtëpia e tyre në vitin 2020 dhe Tymofii lindi atje. Kur ai ishte tetë muajsh, Alisa iku me të, ndërsa Denisi qëndroi për të luftuar me Gardën Kombëtare.

“Ende mund ta shoh atë skenë para syve të mi, më kujton filmat e tmerrshëm të luftës që kam parë. Atë ditë më dha disa pelena, disa ushqime, bateri që të mund të ndriçonim bodrumin. Ai nuk pati kohë as të më përqafonte. E pashë atë duke hipur në makinë, dhe kjo ishte dita e fundit që u pamë së bashku.”

Tymofii dy vjeçar tanimë përpiqet të krijojë lidhjen e tij me të atin duke i treguar disa foto të tyre së bashku.

“Ai e njeh babain e tij Denys në fotografi, kështu që kur e pyes se ku është babai i tij, ai thjesht tregon fotografinë. Herën e fundit që Tymofii e pa babanë e tij ishte tetë muajsh, tani ai është dy vjeç e gjashtë muaj , dhe babai i tij është vetëm një fotografi.”

Për Alisën gjendja emocionale është edhe më e rënduar teksa shprehet se Denys nuk ishte aty me të kur djali i tij festoi ditëlindjen e tij të parë, kur hodhi hapat dhe kur filloj të fliste fjalët e para.

Autoritetet ukrainase thonë se rreth 50 shkëmbime janë kryer tashmë. Alisa Chumak beson se komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë për të arritur shkëmbime të mëtejshme.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share